15.7 C
Tirana
31 / 10 / 2026

Revolucioni pa popull

Nga Orest Shurdha

Revolucion pa popull, dialog me karrige të djegura dhe një Kryeministër që nuk lëviz nga zyra. Shqipëria po përjeton një revolucion të çuditshëm: revolucionarët kërkojnë të rrëzojnë qeverinë, por qeveria nuk po bie, ndërsa populli nuk po ngrihet.

Bulevardi vazhdon të presë. Protestuesit pakësohen, parullat përsëriten, Rama qëndron. Nëse vazhdohet kështu, rreziku më i madh për revolucionin nuk është policia, por lodhja fizike e revolucionarëve dhe mungesa e popullit.

Të rinj e të reja, studentë, pedagogë, opozita e madhe dhe opozitat e vogla marshojnë nëpër kryeqytet, përgjithësisht paqësisht, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit. Në podium flitet për revolucion, sikur nesër të ngrihet i gjithë populli. Por populli, me sa duket, nuk e ka marrë vesh ende se revolucioni ka filluar. Vazhdon punët e veta, ndërsa bulevardi pret që t’i bashkohet historia.

Rama, ndërkaq, ka shpikur një metodë të re dialogu. Në mëngjes nxjerr ca karrige para Kryeministrisë dhe fton protestuesit të bisedojnë. Në darkë, karriget digjen. Të nesërmen vendos ulëse prej guri, si në Paleolitin e Hershëm. Kështu, nga dialogu me mobilie kalojmë te dialogu me arkeologjinë. Mbetet të vendosë ndonjëherë stola prej betoni, që të mos ketë më asnjë mundësi për negociata.

Të paktën, Kryeministri po përpiqet të zgjidhë problemin e mobilimit të sheshit, kurse protestuesit duan të zgjidhin problemin e qeverisë. Dy palë, dy axhenda, një bulevard.

Rama vazhdon punën, shpall masa për universitetet e studentët, bën lëvizje në administratë dhe nxjerr lista protestuesish me precedentë penalë, sikur të ishte njëherësh Kryeministër, drejtor policie dhe komision biografie. Mesazhi duket i qartë: në vend që të diskutohet pse protestojnë, më mirë të diskutohet kush janë ata që protestojnë. Por një biografi problematike nuk e bën automatikisht të paligjshme një protestë, as një protestë nuk e bën askënd të paprekshëm nga ligji.

Kryeministri, megjithatë, nuk ka ndër mend të largohet. Përse të largohet? Nuk ka humbur zgjedhjet, nuk ka dalë një shumicë e re nga kutia e votimit dhe në bulevard nuk po shfaqet ende ajo turma që do ta detyronte të rishikonte llogaritë. Ai mund të bëjë sikur nuk dëgjon, por nuk mund të pretendojë se çdo pakënaqësi është shpikje e opozitës. Qeverisja nuk është vetëm të numërosh votat ditën e zgjedhjeve, por edhe të mbash përgjegjësi për mënyrën si qeveris deri në zgjedhjet e ardhshme.

Opozita, nga ana tjetër, ka zbuluar formulën e saj magjike: mjafton të thuash «Rama ik!» dhe qeveria duhet të marrë valixhet. Po pse të lodhesh me program, alternativa dhe bindje qytetarësh, kur mund të shpallësh revolucion çdo mbrëmje? Problemi është se revolucionit i duhen revolucionarë, por edhe popull. Dhe ky i fundit nuk rekrutohet me megafon, as me parashikime triumfi.

Në këtë ndeshje nervash, secila palë shpreson që tjetra të dorëzohet e para. Protestuesit presin që Rama të mos e përballojë dot presionin. Rama pret që protestuesit të lodhen, të pakësohen dhe të kthehen në shtëpi. Ndërkohë, qytetarët shohin spektaklin, por jo domosdoshmërisht bëhen pjesë e tij.

Po si do të përfundojë kjo histori?

Mund të lodhen protestuesit. Mund të lodhet edhe qeveria. Mund të mos lodhet asnjëra palë, por të lodhet i gjithë vendi.

Sepse një protestë që nuk arrin të zgjerohet rrezikon të kthehet në një takim të përhershëm të të bindurve. Ndërsa një qeveri që ngatërrojnë qëndrueshmërinë me mosdëgjimin rrezikon të besojë se mungesa e turmës është provë se gjithçka shkon mirë.

Deri tani, bilanci është i thjeshtë: opozita ka revolucionin në program, Rama ka karriget në inventar, kurse populli ka zgjedhur të mos nxitohet.

Protesta vazhdon, Rama qëndron. Revolucioni pret popullin. Dhe populli, me sa duket, nuk ka marrë ende vendim nëse do të marrë pjesë në revolucion apo do ta ndjekë nga televizori.

Dhe bilanci në fund është ky: 50 semaforë të shkulur, 100 kosha plehrash të djegur, 10 bankomate të shkatërruara, 20 dyqane e biznese të shqyera dhe të vjedhura, si dhe 500 pllaka bulevardi të shkulura. A u dëmtua qeveria? Aq më tepër Kryeministri? Përveç disa karrigeve të djegura poshtë zyrës së tij, jo fort. U dëmtuam vetëm ne, qytetarët e thjeshtë. Falimentuan shumë biznese të vogla, sepse të mëdhatë, si zakonisht, nuk pyesin. Kështu, pas gjithë këtij revolucioni, ku ishim? Pothuajse hiçgjëkundi.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x