19.1 C
Tirana
31 / 10 / 2026

Lista studentore e Serbisë, mungesë entuziazmi për rrugëtimin në Bashkimin Europian

Nga Leonidha Mërtiri *

ÇLIRIM NGA NACIONALIZMI APO IZOLIM I SERBISË

Lista Studentore në Serbi, pas dy vite së protestuari, fitoi zgjedhjet parlamentare, duke lënë prapa Partinë Progresive Serbe në pushtet të Alexandar Vuçiç dhe duke bërë që përmes votës ky i fundit t’u thotë “lamtumirë” pozicioneve më të larta që mbajti gjatë katërmbëdhjetë viteve të pushtetit të tij, si kryeministër, president apo në karriget ministrore.

Kështu karriera e Vuçiçit shënoi fundin e vet, me mësimin se ç’ndodh me një qeverisje autokratike, të ndërtuar ndër vite, sikurse veproi me të Alexandar Vuçiç. Fatin e tij, dhe partisë që drejtoi vite të tëra, edhe më keq e pësoi  simotra, Partia Socialiste Serbe(SPS) dhe drejtuesi famëkeq i saj, Ivica Daçiç, i posteve të larta qeveritare prej njëzetë vjetësh, mbetën jashtë parlamentit, për herë të parë, pas tridhjetë e gjashtë vjetësh, duke mos e kaluar pragun zgjedhor prej tre për qind.

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare treguan fare qartë epërsinë e dukshme të këtij formacioni të ri politik.

Si ia rriti kjo lëvizje qëllimit të vetë? Natyrshëm dhe me këmbëngulje, që nuk u zbeh nga asnjë luhatje.

Së pari, duke u vënë përballë një pushteti, të njohur për ta, që nuk rrëzohej lehtë, ia dolën përmes një force organizuese, që nuk do të lejonte, siç edhe ndodhi, të rrëshqiste në veprime të dhunshme, larg çdo thyerje dhe shkatërrimi.

Së dyti, ajo i shtriu krahët e vet më gjerë, duke u bërë një me njerëz të të gjitha shtresave, për të thërmuar ngadalë sistemin ekzistues, filluar në emër të luftës kundër korrupsionit dhe indiferentizmit të hapur të pushtetit ndaj tij dhe represionit, si instrument besnik ky i Vuçiçit dhe shpurës së vet apo kapjes së shtetit me institucione të ndryshkura, me media-makinë propagande servile në duart e regjimit në fuqi etj.

Radhët e protestuesve numëronin dhe përfaqësues aktivë të spektreve të ndryshëm, të cilët të gjithë së bashku, sikurse u duk, u kishte ardhur tek nuk mbahej më, ndaj kishin pritur një forcë të re, të mos i ngjante SNS-së, Partisë Progresive Serbe me pushtetin e saj.

Së treti, Lista Studentore, sikundër u pa në dy vitet e fundit të protestave, nuk e pati të lehtë të vriste frikën përballë regjimit autarkik serb, në kushte, ndërkohë, kuptohet, aspak të njëjta me të, ku dhuna, arrestimet e protestuesve nuk i bënë këta të tërhiqen, por i inkurajuan që qetësisht dhe të vendosur të vazhdonin protestat kundër pushtetit të Vuçiçit.

Një mësim ky për gjithë krerët e vendeve të ndryshme, sidomos atyre të rajonit tonë, pushteti i të cilëve mbahet më këmbë mbi ato që përmendëm më lart.

Tashmë fitorja e kësaj lëvizje është një realitet. Por çfarë pritet? Ç’do të ndodhë më tej me qeverisjen e re, pas kësaj tabloje që dhamë?

Edhe pse është herët deri në krijimin e qeverisë, duken si piketa të rëndësishme qeverisëse ato çka paraparë kjo Listë. Retorikë për të ardhur në pushtet apo do të ecet në rrugën e të mëparshmëve? Pyetja që bëjmë duket se bie në konflikt me ato që nënvizuam për ecurinë dhe qëllimet e formacionit të Listës Studentore. Sepse, sipas tyre, “do të ndiqen penalisht njerëzit e regjimit që kanë favorizuar nënshkrimin e marrëveshjeve antikushtetuese në dëm të Serbisë”. Krijohet përshtypja që çengeli i nacionalizmit të njohur serb rri varur, sipas gjuhës së përdorur.

Për çfarë marrëveshje bëhet fjalë? Cili do të jetë fati i marrëveshjeve dypalëshe, respektimi për t’i zbatuar ato apo lënia pas dore, duke u vënë kryq atyre?

Të vimë te qëndrimi ndaj Kosovës, i shprehur në protestë dhe në fushatën zgjedhore. Mbetet i njëjti, copy-paste me qeveritarët serbë të derisotëm. Asnjë dallim mes tyre. Për ta, Kosova mbetet pjesë integrale e Serbisë, edhe pse ajo është e pavarur dhe sovrane. Programi i Lëvizjes Studentore e lë po këtu, duke kundërshtuar më tej pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe, sipas tij, do të pengohet anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare dhe, siç thamë më sipër, nënshkruesit e marrëshjeve në dëm të Serbisë do të ndiqen penalisht.

Një retorikë e tillë edhe pse i përket thjesht një fushate zgjedhjesh, ajo përsëri lë shije jo të mirë. Nuk mjafton t’i fitosh zgjedhjet. Puna është që sa kjo fitore shkund autokracinë, sa i ngushtohet laku korrupsionit… dhe në radhë të parë, sa i shërben Serbisë për demokratizimin real të saj.

Duke vazhduar me marrëdhëniet Kosovë-Serbi, sikurse pohohet dy ditë më parë dhe nga Bashkimi Europian, pritet që Serbia të angazhohet në mënyrë konstruktive të respektojë zotimet e saj ekzistuese dhe të kontribuojë në përparimin drejt normalizimit. BE-ja do të bëjë të njëjtat përpjekje për dialog midis dy vendeve. Por bie në sy, teksa i referohesh programit të Listës Studentore, mungesa e entuziazmit për rrugëtimin në Bashkimin Europian.

Ky rrugëtim, si domosdoshmëri për secilin vend, vështirë të ngjitë menjëherë në Serbinë e qeverisjes së re. Kështu dhe tabloja midis BE-së dhe Serbisë, pa ngulmuar për të bërë orakullin, mendoj se nuk do të jetë shumë optimiste. Alexandar Vuçiç ishte njeriu më i fuqishëm, rol të cilin  ai diti ta mbajë fort, qoftë si kryeministër dhe më vonë si president i vendit, duke manovruar si prodialogues në pamje, por i patundur në bindjet e tij nacionaliste dhe shoviniste. Gjithnjë me krahët e mbrojtur nga Moska. Madje, krijohej përshtypja edhe si “i përkëdheluri” i BE-së dhe si i gjetur-më i besuari. Pavarësisht, një këmbë në BE dhe tjetrën-më të sigurtë-në Rusinë e Putinit.

Sipas programit, këtë do të bëjë dhe lëvizja e re, pa u ndarë nga “partneriteti tradicional” me Rusinë, ndaj së cilës, siç insistohet, “s’mund të vendosen kurrsesi masa kufizuese”. Për bashkëpunimin e Serbisë me Kosovën, BE-ja, dhe këto ditë, pas fitores së Listës Studentore, vazhdon të këmbëngulë se detyrimet e marra nga palët mbeten të pandryshueshme. Një retorikë e tillë, për fat të keq, ka qënë e pranishme dhe më parë. Thjesht për të qënë brenda.

Dhe nuk jep shumë shpresa as për Listën Studentore që të çlirohet nga nacionalizmi serb apo ta mbajë nesër larg Serbinë nga një izolim i mundshëm për shkak të mosndjekjes së rrjedhës së Bashkimit Europian dhe nëse ato qëndrime të kritikueshme që përmendëm dhe të ngjashmet e tyre nga programi i saj për fushatën e zgjedhjeve  bëhen pjesë e programit të nesërm të qeverisë.

*Leonidha Mertiri. Ish ambasador i Shqipërisë në Beograd

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x