Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka fituar një betejë ligjore për mbrojtjen e emrit dhe markës së saj, pasi një tregtar nga Hong Kongu përdorte identitetin e artistes për të shitur produkte pa autorizimin e saj.
Sipas raportimit të gazetës britanike “Daily Mail”, tregtari, i identifikuar si Gary, kishte regjistruar domenin dualipa-asiastore.com, përmes të cilit reklamonte dhe ofronte produkte të ndryshme, përfshirë veshje, çanta dhe aksesorë, duke përdorur emrin e këngëtares pa lejen e saj.
Çështja u paraqit pranë Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), e cila shqyrtoi ankesën dhe vendosi në favor të Dua Lipës. Sipas vendimit, domeni ishte regjistruar dhe përdorur në keqbesim, ndaj u urdhërua transferimi i tij te kompania e artistes.
Kjo do të thotë se tregtari nuk do të mund ta përdorë më këtë adresë interneti për aktivitetin e tij tregtar, ndërsa Dua Lipa ka arritur të mbrojë identitetin e saj nga përdorimi i paautorizuar.
Përtej kësaj fitoreje ligjore, vëmendje kanë tërhequr edhe shifrat e jashtëzakonshme financiare të këngëtares shqiptare. Sipas dokumenteve të kompanive të saj, Dua Lipa ka gjeneruar rreth 23.4 milionë paund të ardhura nga muzika, të drejtat autoriale, koncertet dhe aktivitetet tregtare.
Ndërkohë, kompania e saj Radical22 vlerësohet në rreth 73 milionë paund. Edhe turneu botëror “Radical Optimism” ka regjistruar rezultate të mëdha financiare, duke gjeneruar rreth 162 milionë paund të ardhura bruto gjatë vitit 2025, me gjithsej 81 koncerte.
Kështu, përveç suksesit në muzikë, Dua Lipa po tregon se është e vendosur të mbrojë edhe emrin e saj si markë tregtare, duke mos lejuar që të tjerët të përfitojnë komercialisht prej tij pa autorizim.
- Kim Kardashian provoi gjerdanin 6.5 milionë dollarësh të Elizabeth Taylor, zbulon edhe çfarë pa në shtëpinë e aktores - 30/10/2026
- Shiste produkte pa leje me emrin e Dua Lipës, këngëtarja shqiptare fiton betejën ligjore ndaj tregtarit nga Hong Kongu! - 30/10/2026
- “Kamera në trupin e policëve”- Demo nxjerr pamjet e të rinjve me maska që kanë ushtruar dhunë: Fuqizim teknologjik në Policinë e Shtetit! - 30/10/2026