Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka zhvilluar një ceremoni solemne në nderim të akademikut Luan Omari, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë në moshën 101-vjeçare.
Në këtë ceremoni morën pjesë akademikë, kolegë, studiues dhe ish-bashkëpunëtorë, të cilët vlerësuan figurën e një prej personaliteteve më të rëndësishme të jurisprudencës shqiptare. Humbja e tij u cilësua si një goditje e madhe për shkencën, arsimin dhe kulturën shqiptare, për shkak të kontributit të jashtëzakonshëm që dha përgjatë dekadave.
Luan Omari ishte anëtar themelues i Akademisë së Shkencave, ku ka mbajtur edhe detyrat e sekretarit shkencor dhe zëvendëskryetarit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e mendimit juridik shqiptar, në arsimin e lartë dhe në forcimin e shtetit të së drejtës. I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, Omari kreu studimet për drejtësi në Beograd dhe Sofje, ndërsa karrierën e tij akademike e lidhi ngushtë me Universitetin e Tiranës. Ai shërbeu si dekan i Fakultetit të Drejtësisë për afro dy dekada dhe si profesor i Teorisë së Shtetit dhe së Drejtës Publike.
Përveç veprimtarisë akademike në Shqipëri, ai përfaqësoi vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke kontribuar në çështjet që lidhen me demokracinë dhe të drejtën kushtetuese. Omari ishte autor i dhjetëra studimeve, monografive dhe botimeve shkencore mbi historinë e së drejtës shqiptare, sistemin juridik dhe të drejtën kushtetuese. Pas viteve ’90, ai ishte gjithashtu pjesë aktive e diskutimeve dhe proceseve për hartimin e Kushtetutës dhe legjislacionit themelor të vendit.
Për kontributin e tij të çmuar, në vitin 2020 u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ndërsa në vitin 2016 Akademia e Shkencave i akordoi Çmimin e Karrierës Akademike. Gjatë ceremonisë, pjesëmarrësit kujtuan veprën dhe trashëgiminë e tij intelektuale, duke e cilësuar Luan Omarin si një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në jurisprudencën, arsimin dhe institucionet shqiptare.
- Ndryshime në bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj liron nga detyra dy nënkryetarë - 30/10/2026
- Sulmi rus në stacionin hekurudhor në Dnipro, 14 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, zemërim në Evropë - 30/10/2026
- Akademia e Shkencave mban ceremoni solemne në nderim të Luan Omarit, homazhe për akademikun 101-vjeçar - 30/10/2026