Për gazetaren legjendare italiane, Oriana Fallaci, pleqëria është moshë kur pasqyra nuk është më gjykatëse, rrudhat nuk janë më dëshmi humbjeje dhe koha nuk përjetohet si një kundërshtare që duhet mundur, por si një udhëtim që duhet pranuar. Është çasti kur njeriu kupton se liria nuk qëndron te mundësia për të mbetur përgjithmonë i ri, por te guximi për të mos pasur më nevojë të shtiret si i tillë.
Pikërisht këtë të vërtetë, me ironinë e mprehtë dhe sinqeritetin e saj të pamëshirshëm, na përcjell Oriana Fallaci, kur e quan pleqërinë “moshën e artë të jetës”, sepse ajo është, më në fund, stina e lirisë. Një pohim që sfidon kultin bashkëkohor të rinisë, ankthin për pamjen, frikën nga vitet dhe atë marrëveshje të heshtur që shoqëria kërkon të lidhë me individin: të plaket trupi, por të mos guxojë të duket se është plakur.
Fallaci nuk e romantizon pleqërinë. Ajo bën diçka më të guximshme, e pranon atë si një të vërtetë të jetës dhe, përmes këtij pranimi, i kundërvihet frikës që e shoqëron. Sepse ndoshta një nga fitoret më të mëdha të njeriut nuk është të ndalë kohën, gjë që nuk mund ta bëjë, por të çlirohet nga tirania e saj mbi ndërgjegjen.
“Më pëlqen pleqëria, më argëton”, thotë Fallaci, duke e vendosur që në fillim veten në kundërshtim me një shoqëri që shpesh e sheh plakjen si një fat që duhet fshehur. Ajo i quan të marrë dhe mosmirënjohës ata që përpiqen ta mohojnë moshën përmes ndërhyrjeve estetike, veshjeve që imitojnë rininë apo mashtrimeve me vitet.
Në këtë gjykim ka provokim, por edhe një të vërtetë që meriton të shqyrtohet përtej ashpërsisë së formulimit. Çështja nuk është nëse njeriu duhet apo nuk duhet të kujdeset për pamjen e vet, të bëjë ndërhyrje estetike apo të vishet si të dëshirojë. Çështja është nëse këto zgjedhje burojnë nga liria personale apo nga frika e përjashtimit, nga dëshira për t’u ndier mirë me veten apo nga detyrimi për t’iu përshtatur një bote që e vlerëson njeriun sipas rinisë së fytyrës.
Fallaci vë gishtin mbi një paradoks: Njeriu mund të kalojë gjithë jetën duke u përpjekur të duket ndryshe nga ç’është, duke e shndërruar ekzistencën në një përpjekje të pafundme për të përmbushur pritshmëritë e të tjerëve. Kur është i ri, kërkon të pranohet. Kur rritet, kërkon të vlerësohet. Kur plaket, mund të nisë të luftojë kundër vetë moshës, sikur vitet të ishin një faj që duhet fshehur.
Dhe kështu, në vend që ta jetojë jetën, rrezikon të kalojë përmes saj duke u përpjekur të bindë botën se është dikush tjetër.
Në këtë kuptim, pleqëria bëhet një provë e së vërtetës personale. Ajo e pyet njeriun nëse është gati të pranojë historinë e vet, me gjithçka që ajo ka sjellë: fitoret, humbjet, gabimet, dashuritë, zhgënjimet dhe gjurmët e pashmangshme të kohës. E pyet nëse mund të jetojë pa u kërkuar ndjesë të tjerëve për moshën që ka arritur.
Fallaci rrëfen se, kur ishte e re, besonte se ishte e lirë. Por nuk ishte. Shqetësohej për të ardhmen, ndikohej nga njerëzit dhe rrethanat, u bindej pritshmërive të botës. Edhe kur u bë e rritur, mendonte se e kishte fituar lirinë, por vazhdonte të druhej nga gjykimet dashakeqe dhe pasojat e zgjedhjeve të veta.
Këtu qëndron thelbi filozofik i këtij reflektimi. Liria nuk është thjesht të bësh atë që dëshiron. Ajo është edhe të mos jetosh nën sundimin e frikës nga ajo që të tjerët mund të mendojnë për ty. Nuk është vetëm të kesh mundësi zgjedhjeje, por të jesh i gatshëm të mbash përgjegjësinë për zgjedhjet e tua, edhe kur ato nuk miratohen.
Njeriu i ri jeton shpesh në të ardhmen. Ai projekton, ndërton, shpreson, druhet, përpiqet të parashikojë pasojat e veprimeve të tij. Kjo është pjesë e natyrshme e jetës, sepse rinia dhe mosha e pjekurisë janë periudha kur shumëçka mbetet për t’u ndërtuar. Por pikërisht ky orientim drejt asaj që do të vijë mund ta bëjë njeriun peng të ankthit, të vlerësimit të të tjerëve dhe të nevojës për të kontrolluar të pakontrollueshmen.
Fallaci e sheh veten e dikurshme dhe kupton se, edhe kur besonte se po zgjidhte, në shumë raste po reagonte ndaj frikës. Frikë nga dështimi, nga paragjykimi, nga pasojat, nga mundësia për të mos u pranuar.
Dhe sa njerëz e kalojnë jetën në këtë mënyrë? Sa prej nesh heqin dorë nga një dëshirë jo sepse nuk e duan, por sepse druhen se si do të duken në sytë e të tjerëve? Sa heshtin për të ruajtur një marrëdhënie, një reputacion apo një paqe të rreme? Sa e shtyjnë lumturinë për një të ardhme të pacaktuar, duke pritur që rrethanat të bëhen më të favorshme, njerëzit më mirëkuptues dhe bota më pak gjykuese?
Liria e vërtetë mund të nisë pikërisht atëherë kur njeriu pushon së kërkuari një botë pa gjykime dhe mëson të jetojë pa u sunduar prej tyre.
“Pse duhet të më shqetësojë e ardhmja? Ajo tashmë ka mbërritur.”
Kjo është fjalia ku mendimi i Fallacit arrin kulmin e vet. Në rini dhe në moshën e pjekurisë, e ardhmja është një hapësirë e hapur, plot mundësi, por edhe plot pasiguri. Ajo mund të premtojë gjithçka dhe të mos garantojë asgjë. Njeriu përpiqet ta zotërojë përmes planeve, përgatitjeve dhe kujdesit, por mbetet gjithmonë i ekspozuar ndaj asaj që nuk mund të parashikojë.
Në pleqëri, marrëdhënia me të ardhmen ndryshon. Jo sepse ajo pushon së ekzistuari, as sepse njeriu nuk ka më arsye të shpresojë, por sepse horizonti i saj bëhet më i prekshëm. Koha e jetuar zë një pjesë gjithnjë e më të madhe të përvojës, ndërsa koha e mbetur nuk mund të trajtohet më si një rezervë e pafundme.
Fallaci e shpreh këtë ndryshim me një ironi që fsheh një kthjelltësi të jashtëzakonshme: “Pse duhet të më shqetësojë? Ajo tashmë ka mbërritur.”
E ardhmja, dikur një kërcënim i largët që duhej parashikuar dhe kontrolluar, është bërë e tashmja. Ajo nuk është më një fantazmë që rri pezull mbi jetën, por realiteti në të cilin njeriu ndodhet. Kjo nuk do të thotë se pleqëria i shuan shqetësimet, dhimbjet apo frikën nga humbja. Do të ishte e padrejtë ta paraqisnim këtë moshë si një gjendje të vetvetishme qetësie. Por mund të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si njeriu i sheh ato.
Kur kupton se koha nuk është e pafundme, mund të mos e harxhojë më aq shumë duke u përpjekur të kënaqë të gjithë. Kur e di se nuk mund t’i kontrollojë të gjitha pasojat, mund të pranojë më lehtë pasigurinë. Kur ka jetuar mjaftueshëm për të njohur paqëndrueshmërinë e lavdërimeve dhe ashpërsinë e gjykimeve, mund të mos ua japë më atyre fuqinë që dikur kishin mbi të.
Në këtë pikë, pleqëria nuk është triumf mbi kohën. Është, ndoshta, pajtim me të.
Dhe ky pajtim mund të jetë një formë e lartë e lirisë.
Përgatiti: Albert Vataj
- Paketa fiskale 2027/ Leka: Vëmendje shëndetësisë dhe arsimi! Çupi: Kemi të bëjmë me një shtet social - 29/10/2026
- Pleqëria, stina e artë e lirisë, Oriana Fallaci dhe guximi për të mos iu fshehur moshës - 29/10/2026
- Tubimi i Trump në Ohajo ndërpritet nga protestuesit për çështjen “Epstein” - 29/10/2026