12.4 C
Tirana
26 / 10 / 2026

Reflektimet e së dielës: Për çfarë protestojmë dhe çfarë duam të ndryshojmë?

Nga Edona Bilali*

Këtë fundjavë, ndoshta instiktivisht mora Edenin dhe erdhëm në Velipojë, për të qënë sa më larg zhurmës, tensionit dhe kaosit që shoqëruan kryeqytetin.

Një zgjedhje e vogël, por që më bëri të reflektoj për tri gjëra që, në pamje të parë, duken të palidhura.

E para, për përgjegjësinë që kemi si prindër.

Përpara se të jem qytetare, përpara çdo funksioni apo përgjegjësie tjetër, jam nanë. Dhe si nanë, kam detyrimin ta mbroj fëmijën tim nga ajo që nuk është ende në gjendje ta kuptojë, ta përpunojë apo ta përballojë emocionalisht. Nuk dua që zhurma, tensioni dhe pamjet e dhunës të bëhen pjesë e kujtimeve të tij të fëmijërisë. Unë 97’ e kam kaluar në Shkodër dhe do bëja çdo gjë që fëmija im mos dëshmonte pamje të ngjashme dhune. E gjeta veten shpesh duke i fikur televizionin gjyshave, duke bërë me shenja për të ndërruar temë çdo herë që protesta bëhej objekt bisede, apo duke shmangur ndërveprime sociale ku pashmangshmërisht protestat do ishin kryefjalë. Kjo nuk do të thotë t’i rrisim fëmijët larg realitetit, në flluska. Përkundrazi, do të thotë t’i përgatisim që ta kuptojnë atë, pa i detyruar të përballen me të përpara kohe. Fëmijëria ka nevojë për hapësirë, siguri dhe qetësi.

E dyta, për atë që po ndodh përtej nesh.

Në shumë vende të Europës, njerëzit dalin në rrugë sepse duan më shumë: banesa me çmime të përballueshme, paga që u mundësojnë një jetë dinjitoze, arsim që mund ta përballojnë, shërbime më të mira dhe institucione që reagojnë më shpejt.

Për mua, një shoqëri që kërkon më shumë nga institucionet e saj nuk është një shoqëri që duhet parë me shqetësim. Është një shoqëri që nuk kënaqet me atë që ka dhe që kërkon të ecë përpara.

Por mënyra si protestojmë ka rëndësi po aq sa arsyeja pse protestojmë. Dhuna nuk e bën një kërkesë më të drejtë dhe shkatërrimi nuk e bën një mesazh më të fortë. Demokracia ka nevojë për qytetarë aktivë, për zëra kritikë dhe për protesta të lira, por edhe për përgjegjësi, dialog dhe respekt për të tjerët, për pronën publike apo private, për qytetin, për Shqipërinë.

E treta, për Austrinë, vendin me të cilin jam e lidhur prej shumë vitesh tashmë.

30,000 protestues të angazhuar në arsim, të mbledhur në Vjenë, më bëri të ndalem te një dallim që ia vlen të përfshihet në këto rreshta që po shkruaj.

Ajo që më tërheq vëmendjen nuk është vetëm numri. Është qartësia e çështjes që i nxjerr në protestë: përballueshmëria e studimeve dhe kushtet në të cilat të rinjtë mund të arsimohen e të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Kur mijëra njerëz bashkohen rreth një kërkese të qartë, ata i vendosin institucionet përballë një përgjegjësie po aq të qartë: ta dëgjojnë shqetësimin, të japin përgjigje dhe të shpjegojnë çfarë mund të ndryshohet.

Duke parë këto pamje, mendova edhe për protestat në Shqipëri. Nuk dua ta mas të drejtën për të protestuar me numra, as ta mohoj pakënaqësinë e qytetarëve sepse nuk pajtohem me mënyrën si shprehet apo me ata që e organizojnë (referuar dhunës së ditëve të fundit).

Por besoj se duhet të bëjmë një pyetje më të rëndësishme: përtej zemërimit, cili është ndryshimi konkret që i bën diferencë atyre që protestojnë?

Dorëheqja e një drejtuesi apo largimi i një qeverie mund të jetë një kërkesë politike. Por, në fund të ditës, qytetarët kanë nevojë të dinë edhe çfarë do të ndryshojë në jetën e tyre: çfarë do të bëhet me çmimet, me pagat, me mundësitë e të rinjve, me strehimin, me arsimin dhe me cilësinë e shërbimeve publike. Dhe për këtë qeveria po e tregon çdo ditë që po dëgjon.

Në fund, këto tri pamje më rikthyen te e njëjta ide.

Dua që Edeni të rritet në një shoqëri ku njerëzit nuk kanë frikë të flasin, ku të rinjtë guxojnë të kërkojnë më shumë dhe ku institucionet e kuptojnë se përgjegjësia e tyre është ti dëgjojë dhe reflektojë.

Një shoqëri demokratike nuk është ajo ku të gjithë mendojnë njësoj. Është ajo ku mund të mos biem dakord, të kërkojmë përmirësim të kushteve të jetesës dhe të kundërshtojmë njëri-tjetrin, pa e humbur respektin për jetën, dinjitetin dhe të ardhmen që ndajmë, larg gjuhës së urrejtjes dhe larg dhunës.

Ky është reflektimi im i kësaj të diele: të mbrojmë fëmijërinë, të mos e humbim zërin qytetar dhe të mos harrojmë se qëllimi i çdo proteste, debati apo vendimi politik duhet të jetë një jetë më e mirë për njerëzit.

*Marrë nga profili ne fb i Edona Bilalit, Zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x