20.7 C
Tirana
21 / 10 / 2026

Në demokraci, partitë politike duhet ta dënojnë dhunën, pa ekuivok

Nga Arianit Shehu

Në demokraci, çdo parti politike, pavarësisht nëse është në pushtet apo opozitë, duhet ta dënojë dhunën qartë, menjëherë dhe pa ekuivok. Sepse kur partitë politike nuk e dënojnë dhunën, krijojnë një precedent të rrezikshëm, ku vullneti dhe vota e qytetarit mund gjithmonë të ndryshohen me dhunë.

Dhuna dhe anarkia nuk janë dhe nuk mund asnjëherë të jenë instrument i demokracisë. Demokracia u jep qytetarëve të drejtën të protestojnë, të kundërshtojnë qeverisjen, të denoncojnë padrejtësitë dhe të kërkojnë llogaridhënie. Por në momentin kur argumenti zëvendësohet me gurin, vota me zjarrin dhe protesta me sulmin ndaj njerëzve, policisë, institucioneve apo pronës, kalojmë një vijë që asnjë shoqëri demokratike nuk duhet ta normalizojë. Prandaj çdo parti politike, pavarësisht nëse është në pushtet apo opozitë, duhet ta dënojë dhunën qartë, menjëherë dhe pa ekuivok. Sepse kur partitë politike nuk e dënojnë dhunën, krijojnë një precedent të rrezikshëm, ku vullneti dhe vota e qytetarit mund gjithmonë të ndryshohen me dhunë. Për më tepër, në demokraci, çdo individ përgjegjës për akte dhune duhet të japë llogari dhe të përgjigjet para ligjit për veprimet e tij apo saj.

Kur Kryeministri Edi Rama vendosi një kontratë të nënkuptuar shoqërore me qindra mijëra qytetarë për të jetësuar një vizion qeverisës që po e shndërron Shqipërinë në kryeqendër rajonale e botërore, lindi natyrshëm pyetja mbi qëllimin thelbësor të protestave aktuale. Ndonëse pakënaqësia ndaj ekzekutivit mbetet e qartë, tek protestat qytetare vihet re një mungesë konsensusi rreth kërkesave konkrete dhe alternativave të prekshme politikëbërëse. Në mungesë të këtij orientimi, shprehja e pakënaqësisë rrezikon të shpërfaqet jo si ushtrim i plotë demokratik, por si një anarki pa busull në rrugët e kryeqytetit.

Detyra themelore e partive politike dhe e qytetarëve është të mbrojnë vullnetin e popullit. Në demokraci, pushteti buron nga vota dhe ndryshon përmes votës. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme nuk mund të vlejnë vetëm atëherë kur rezultati na pëlqen. Fituesi ka përgjegjësinë të qeverisë brenda ligjit dhe të japë llogari; opozita ka të drejtën dhe detyrën ta sfidojë, ta kritikojë dhe t’i ofrojë qytetarit një alternativë. Por askush nuk duhet të kërkojë në rrugë, përmes frikës apo dhunës, atë mandat që duhet ta fitojë në kutinë e votimit. Të mbrosh rezultatin e zgjedhjeve nuk do të thotë të mbrosh një parti apo një qeveri por do të thotë të mbrosh të drejtën e qytetarit për të vendosur se kush e qeveris vendin.

Është e pamundur të injorohet edhe momenti në të cilin po ndodh kjo dhunë. Ajo vjen pikërisht kur Shqipëria ndër lidershipin e Kryeministrit Edi Rama po shënon një nga periudhat më të rëndësishme të progresit në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ky është progres real dhe i matshëm drejt objektivit historik të anëtarësimit në BE. Pikërisht në një moment kur Shqipëria duhet të projektojë stabilitet, pjekuri demokratike dhe aftësi institucionale, pamjet e zjarrit, dhunës dhe sulmeve ndaj institucioneve rrezikojnë të krijojnë imazhin e kundërt. Prandaj mbrojtja e protestës paqësore dhe refuzimi i dhunës nuk janë vetëm çështje të rendit publik por janë edhe mbrojtje e rrugës evropiane të Shqipërisë dhe e një prej arritjeve më të rëndësishme kombëtare të dekadave të fundit.

Demokracia funksionale ushqehet nga debati qytetar, ballafaqimi institucional dhe shfrytëzimi i mekanizmave shtetërorë nga vetë qytetarët dhe në dobi të tyre. Përkundrazi, kaosi buron nga mungesa e organizimit, naiviteti politik dhe zemërimi i pafiltruar që nuk përkthehet në platformë. Mospajtimi nuk përbën thjesht një të drejtë të pacenueshme qytetare; ai mbetet një motor i domosdoshëm që i mundëson shtetit zhvillim konstruktiv drejt një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Dhuna politike asnjëherë nuk u shërben qytetarëve e as studentëve. Ajo krijon hapësirë për armiqët tanë, Rusisë, Serbisë dhe satelitëve të tyre në rajon, dhe të elementet esktreme dhe të dhunshme, të përfitojnë nga dobësimi i institucioneve, polarizimi i shoqërisë dhe humbja e besimit te demokracia. Zemërimi i ligjshëm mund të instrumentalizohet, frika mund të amplifikohet dhe një protestë mund të shndërrohet në një pamje kaosi që u shërben pikërisht armiqëve që dëshirojnë ta shohin vendin tonë të dobët dhe të përçarë. Prandaj, sa herë që shpërthen dhuna, duhet të bëjmë pyetjen që kam mësuar ta bëj në çdo mjedis destabilizimi: kush e nxit, kush e organizon, kush e financon dhe, në fund, kush përfiton prej saj? Kundërshtari më i madh i atyre që kërkojnë destabilizim është një shoqëri që mund të debatojë ashpër, por refuzon të përçahet.

Dhe pikërisht këtu duhet të bëjmë një dallim të prerë mes studentëve që protestojnë dhe aktorëve malign që mundohen të instrumentalizojnë dhunën. Studentët kanë të drejtë të jenë të pakënaqur. Kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë përgjigje, të kritikojnë qeverinë dhe të kërkojnë ndryshim. Një demokraci që ka frikë nga zëri i studentëve është një demokraci e dobët, një demokraci e fortë i dëgjon ata. Institucionet duhet të hapin dialog të sinqertë me studentët dhe t’u përgjigjen kërkesave të tyre me seriozitet, transparencë dhe respekt. Por edhe studentët duhet ta mbrojnë kauzën e tyre duke u distancuar qartë nga cilido që kërkon ta përdorë atë si mbulesë për dhunë. Protesta paqësore është fuqi demokratike. Dhuna ia merr protestuesit atë fuqi dhe ia dorëzon atë armiqëve tanë që investojnë në kaos.

Në fund, demokracia nuk sprovohet kur të gjithë pajtohemi. Ajo sprovohet pikërisht kur nuk pajtohemi. Mund ta kundërshtojmë ashpër njëri-tjetrin, mund të protestojmë, por duhet të ekzistojë një vijë që asnjë demokrat nuk e kalon: pushteti fitohet dhe humbet me votë, ndërsa dhuna dënohet pa dallim se kujt i shërben politikisht. Kjo është përgjegjësi e qeverisë, opozitës, partive politike, studentëve dhe e secilit prej nesh. Sepse në momentin kur pranojmë dhunën si mjet politik, nuk rrezikojmë vetëm një qeveri apo një mandat, rrezikojmë vetë demokracinë.

Shqipëria ka nevojë për më shumë se qetësi në rrugë, ka nevojë për përgjegjësi dhe pjekuri politike nga të gjitha partitë politike. Qeveria dhe opozita mund dhe duhet të kenë dallime të thella, por përballë dhunës duhet të ekzistojë një vijë që i bashkon të gjithë, mbrojtja e qytetarëve, institucioneve dhe demokracisë. Partitë duhet të ulen së bashku, ta dënojnë dhunën pa kushte dhe të hapin rrugën për dialog, transparencë dhe llogaridhënie më të madhe. Uniteti nuk do të thotë heshtje përballë problemeve dhe as pajtim me pushtetin por do të thotë të luftosh për ndryshim pa e dëmtuar shtetin tënd, institucionet dhe besimin në institucionet tona.

Arianit Shehu është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit në SHBA. Ai sjell mbi 30 vjet përvojë në drejtimin e programeve ndërkombëtare të financuara nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara në fushat e demokracisë, shtetndërtimit, paqes dhe sigurisë. Për shumë vjet ka shërbyer në role të larta drejtuese në Institutin Demokratik Kombëtar (NDI), duke drejtuar programe dhe misione në më shumë se 16 vende të botës. Shehu ka shërbyer gjithashtu si këshilltar i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në kuadër të angazhimeve të saj në Aspen Institute dhe Atlantic Council. Për më shumë se dhjetë vjet ka ligjëruar marrëdhënie ndërkombëtare në Philadelphia University, ndërsa gjatë luftës në Kosovë ka shërbyer si korrespondent lufte për gazetën amerikane Los Angeles Times.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x