Më datën ë 17 tetor 1849, një vdekje e trisht e ndalon udhën e romantikut të muzikës, “këputi” gishtërinjtë e harmonisë melankolike, theu çelësat e solit të fletëve të pentagramit, terroi qiellin nën peshën e pikëllimtë të vjeshtës dhe metamorfozën e stinës që shamaton nëpër pemë melodinë e dhimbshme të ndarjes. Ai u këput si një gjethe për të rënë në truallin e trishtimit dhe për të mbetur aty me të tjerë shtresëzime, duke krijuar atë humus që do të mëkonte gjenaratat e begatimit të pranverave të tjera të hareshme romantike.
Kompozitori polak, virtuozi romanti, Frederik Shopen ndërroi jetë dy vite pas ndarjes me Zhorzh Sand, dashuria me të cilën ishte qielli më i hyjshëm dhe Hadi më i thellë. Ajo i kishte premtuar se do të ishte aty, kur ai të ikte nga kjo botë dhe atij i mbeti peng se nuk vdiq në krahët e saj. Para se të vdiste, kërkoi një copë letër ku shkroi: “Si kjo tokë do të më mbysë, ju përgjërohem, ma hapni trupin, që të mos më varrosni të gjallë”. Në certifikatën e vdekjes shkaku i vdekjes u shkrua tuberkulozi, por në 2008-ën u ofrua një tjetër variant i vdekjes së kompozitorit: fibroza cistike. Ashtu siç kishte kërkuar para se të vdiste, zemra iu hoq nga trupi dhe u varros në vendin e tij të lindjes në Poloni, ndërsa trupi në Paris. Si epitaf iu shkrua një varg nga Bibla (Mateu 6:21): “Atje ku ke thesarin është dhe zemra jote”. Po sipas amanetit të tij, në ceremoninë e varrimit u luajt “Rekujemi” i Moxartit. Solist ishte Luigi Lablache, i cili ka kënduar “Rekuiemin” në funeralin e Haidinit, Bethovenit, Belinit dhe mikeshës së Shopenit dhe Sandit, mexosopranos Pauline Viardot.