15.9 C
Tirana
16 / 10 / 2026

Fundi i Marrëzisë

Nga Ledio Alite

Nëse vazhdon të shtrydhësh për qumësht në një lopë të shteruar, nuk do të marrësh asgjë tjetër veçse shkelma prej saj. Ky është parimi historik i provuar e sprovuar edhe me sunduesit më të fortë të botës.  

Por duket se këtë parim, xhahilët e pasuruar të këtij vendi nuk e kanë kuptuar, doemos duke mos patur arsim as sa vartësit apo punëtorët e tyre. 

Në gjithë këto vite, në këtë vend u promovua, u ngrit dhe u pasurua, në pjesën dërrmuese llumi dhe anonimët e së kaluarës. Sepse elementë të tillë ushqyen sistemin. 

Një sistem piramidal i cili furnizohej nga gjaku, djersa dhe ëndrrat e vjedhura të bazës së gjerë të popullit. Duke i manipuluar, mashtruar, shitur shpresa të kota vetëm e vetëm për t’i mbajtur nën thundër, ky sistem arriti që të përzejë nga ky vend qindra mijëra të rinj dhe të reja, duke e lënë menaxhimin e vendit në dorën e krimit dhe korrupsionit i cili financon të parën si zë në shpenzimet e tyre shterpësinë e mendimit të lirë dhe intelektual në këtë shoqëri. 

Tirana që po digjet sot materialisht, më vjen keq ta them, por ishte djegur me kohë shpirtërisht. Ishte djegur shpirtërisht nga llumi dhe perversët që i falen vetëm parasë, që hiqen si burra por ndërkohë janë frikacakët më të mëdhenj para sunduesit, para sistemit. Të dyja kategoritë, edhe të intelektualëve punëtorë e qytetarë, edhe të horrave dhe maskarenjve i njohim fort mirë qysh kur rrinim të vegjël në bordurat e trotuaret e qytetit, dhe këtë dallim dimë ta bëjmë mirë.

Ja pra, që erdhi dita kur njerëzit e thjeshtë kuptuan dhe u ndriçuan, se nën këtë sistem, ato nuk i priste asgjë tjetër veç vdekja e ngadaltë dhe në mjerim. Një kapërcim i ndërgjegjjes kolektive ky për t’u duartrokitur, pasi ata janë ende në kohë për ta ndryshuar fatin e tyre, ndryshe nga paraardhësit që e mbyllën jetën dhe kyçën sirtarët e ëndrrave të tyre pa kthim.

Sot, u provua se perandoria e madhe dhe e fuqishme e parasë, e avionëve, e vilave e shampanjave dhe firmave plot vlerë, si në të gjitha rastet e historisë botërore, nuk qenka asgjë tjetër veçse një tigër prej letre që edhe gjimnazistët e studentët mund ta grisin.

Edhe opozitarët më të flaktë në gjithë këto vite, po bëjnë një hap mbrapa për t’i hapur rrugë këtij uragani zemërimi që erdhi si rezultat i moslënies së as edhe një rruge tjetër, në një ekonomi të monopolizuar nga fundi në krye, në një shoqëri të degraduar moralisht nga fundi në krye, në një shtet të korruptuar nga fundi në krye. 

Kurrsesi kjo punë nuk duhet të vinte deri këtu, preteksti i fuqizimit të ekonomisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian nuk duhej kurrsesi të kthehej në një sistem fashist të fuqizuar në letër e të mjerë në popull. Tani, ka vetëm një rrugëdalje. 

Kjo marrëzi duhet të përfundojë një orë e më parë, nuk ka më kohë për reflektim, pasi pasojat mund të jenë katastrofike për vendin.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x