18.8 C
Tirana
10 / 10 / 2026

Merz kritikon Schroderin për vizitën te Putini! Reagon Medvedev: Një pasardhës i bashkëpunëtorëve të Hitlerit 

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur indinjatën e tij për vizitën e ish-kancelarit Gerhard Schröder në Moskë, ku ky i fundit mori pjesë në festimin e 74-vjetorit të presidentit rus Vladimir Putin. Merz e cilësoi këtë veprim si moralisht të papranueshëm, duke theksuar se Putin mban përgjegjësi për luftën në Ukrainë dhe pasojat e rënda humanitare të saj.

Vizita e Schröderit, i cili drejtoi qeverinë gjermane nga viti 1998 deri në vitin 2005, ka shkaktuar reagime edhe brenda Partisë Socialdemokrate gjermane. Ish-kancelari është kritikuar prej vitesh për lidhjet e tij me kompanitë ruse të energjisë dhe marrëdhëniet e afërta me Putinin, të cilat kanë vijuar edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë. Kremlini bëri të ditur se presidenti rus e kishte ftuar personalisht Schröderin në rezidencën e tij, pasi mësoi për mbërritjen e tij në Moskë.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, reagimi i Merz ka nxitur edhe një kundërpërgjigje të ashpër nga Dmitry Medvedev, ish-president i Rusisë dhe aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së vendit. Në një postim në rrjetin social X, Medvedev sulmoi kancelarin gjerman, duke e akuzuar se mbështet vazhdimin e luftës në Ukrainë dhe duke deklaruar se askush nuk do ta vizitojë atë, as në ditëlindje dhe as në funeralin e tij.

“Merz, një pasardhës i bashkëpunëtorëve besnikë të Hitlerit, është i indinjuar nga vizita e Schröder në Rusi. Epo, ne e dimë që kancelari aktual mbështet luftën deri në ukrainasin e fundit. Tani, askush nuk do ta vizitojë kurrë as në ditëlindjen e tij dhe as në funeralin e tij.”, u shpreh Medvedev.

Përplasja vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Berlinit mbeten të tensionuara për shkak të luftës në Ukrainë dhe qëndrimit të Gjermanisë në mbështetje të Kievit. Ndërkohë, propozimi i Putinit për të pasur Schröderin si ndërmjetës në bisedimet për sigurinë evropiane është kundërshtuar nga qeveria gjermane dhe Bashkimi Evropian.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x