25.4 C
Tirana
05 / 10 / 2026

Kurti: Një ligj për Hagën pa stabilitet institucional rrezikon të dështojë! Zemërimi i qytetarëve sot, i drejtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se lëvizjet për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara janë të ngutshme dhe të paanalizuara mirë.

Ai në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të hënën ngriti dyshimet për dobitë e këtij ligji, derisa theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të ketë gjyq.

Kurti rikujtoi se edhe krijimi i Dhomave të Specializuara ishte kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në kohën kur ishte votuar në Kuvend, ndërsa theksoi se sot kjo parti po e mbështet procedimin e projektligjit, raporton “KosovaPress”.

“Për UÇK-në nuk mund të ketë ligj, të nderuar deputetë, ka qenë një kohë shumë e shkurtër për të analizuar si duhet ligjin. Aq më tepër kur ende nuk i kemi atë gjykimin në formën e tij të re. Ne e konsiderojmë se këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet. Veprime të ngutshme janë bërë edhe në vitin 2013 dhe më pas në vitin 2015, kur është votuar krijimi i kësaj gjykate, përkatësisht Dhomave të Specializuara. Atëherë nuk na keni dëgjuar, të paktën sot do të duhej të na konsultonit dhe të na jepnit kohën e nevojshme që çështja të trajtohet shumë më seriozisht. Zemërimi i qytetarëve ndaj gjykatës sot është i drejtë, ka qenë i pranishëm edhe në vitin 2015, por atëherë ky zemërim nuk është marrë parasysh nga deputetët në Kuvend. Prandaj, ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e kanë themeluar, jo atyre që e kundërshtojnë. Përgjegjësinë e mbajnë ata që e kanë themeluar. Ne e kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale që në fillim, por atëherë nuk e kishim mbështetjen tuaj, ndërsa ne po ju mbështesim sot”, tha ai.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x