Nga Bjorn Runa
Një grup përfaqësues i protestuesve ‘Flamingo,’ prej disa javësh tashmë filmon dhe shpërndan në rrjete sociale video se si përndjek politikanë të ndryshëm, duke e paraqitur këtë si arritje politike të protestës. Rasti më i fundit ishte ai i deputetit Bledi Çuçi, i cili u rrethua prej tyre gjatë një darke familjare, por skena të ngjashme i kemi parë të përsëriten edhe me deputetë e politikanë të tjerë.
Nuk ka kurrfarë arsyeje për të qenë protektiv ndaj klasës sonë politike. Përkundrazi, ajo duhet të përballet me kritika dhe një opozitë fortë publike e, madje në raste të caktuara, protestat duhet t’ia ndërpresin rutinën e përditshme politike. Por, përshkallëzimi ka nevojë për një synim që shkon përtej dëshirës që kanë katër apo pesë veta për të treguar se mund t’i prishin pasditen një politikani të caktuar.
Mirëpo, pyet se çfarë synojnë të arrijnë përballje të tilla veç videove denigruese dhe përgjigjia që do të marrësh është se kjo nuk është dhunë dhe se duhet të shqetësohesh më tepër për korrupsionin dhe problemet e vendit se sa për akte të tilla. Logjika e Flamingove se, nëse nuk jua duartroket çdo budallallëk që bëjnë atëherë je në anën e qeverisë, është e njëjtë me atë të politikanëve kundër të cilëve thonë se po luftojnë, sipas të cilëve kushdo që ju vë në dyshim metodat, është automatikisht në anën e “armikut.”
Më e keqja është se e gjithë kjo uri për të përndjekur njerëz, po shtrihet tanimë përtej politikanëve, tek qytetarët e zakonshëm që nuk pranojnë të përfshihen në rezistencën e Flamingove sipas kushteve të tyre.
Incidenti i djeshëm gjatë një takimi të deputetit socialist Erion Braçe me banorë të zonës që ai përfaqëson, e tregon qartë këtë. Teksa bisedonte me banorët, i njëjti grup i ‘Flamingove OJF’ tentoi ta pengonte takimin dhe kur qytetarët kërkuan prej tyre që të lejoheshin të flisnin, u përballën me britma dhe akuza se duhej t’iu vinte turp që kishin zgjedhur t’i ankoheshin një përfaqësuesi të mazhorancës për problemet e tyre, në vend që të protestonin bashkë me ta.
Ajo që aktivistët duket se harrojnë është se, për shumicën e njerëzve, protesta është një mjet për të zgjidhur probleme konkrete dhe për këtë mund të tubohen, të marshojnë, apo të ankohen tek deputetët, pa qenë të detyruar të pyesin ‘Flamingot OJF’ se cila është mënyra e duhur, sikur të ishin pronarë ekskluzivë të halleve të njerëzve.
Duke e ndërprerë atë takim me thirrje ‘t’iu vijë turp,’ drejtuar qytetarëve që kërkuan që të vazhdonte, aktivistët treguan praktikisht se sa të pasinqertë janë kur thonë se flasin në emër të qytetarëve sepse nëse do ta kishin seriozisht, atëherë do t’i kishin dëgjuar po me aq seriozitet ankesat e tyre. Por, ja që qytetarët në atë moment ishin pengesë ndaj nevojës së tyre për të filmuar performancën e radhës dhe shqetësimet e tyre mund të prisnin.
E gjitha është një taktikë e mjerë për të mbrojtur të papërfaqësuarit, por që tregon gjithashtu se e vetmja lloj pjesmarrjeje që ‘Flamingot OJF’ janë të gatshëm të tolerojnë është ajo ku njerëzit vijnë vetëm si trupa për të mbushur sheshin, që këta t’i fotografojnë e t’i paraqesin si dëshmi të suksesit të aktivizmit të tyre kur të aplikojnë për fondet e radhës. Por, në momentin që njerëzit tentojnë të flasin dhe të mendojnë vetë për veten e tyre, etiketohen si tradhëtarë sepse nuk thonë gjërat që duan ata të thonë.
Një lëvizje që nisi si protestë kundër privatizimit të pasurisë publike, do të duhej të ishte veçanërisht e vëmendshme ndaj përpjekjeve për privatizimin e zemërimit publik. Dhe para se të na i paraqesin këta katër-pesë flamingo të dhunshëm si shpresën e së ardhmes, admiruesit e tyre duhet të mendojnë një herë se çfarë na kanë treguar deri tani.
Tani që s’kanë as post e as pushtet, janë të gatshëm të vendosin se kush ka të drejtë të flasë dhe kush duhet denigruar publikisht, duke e shkatërruar kështu edhe vetë protestën. Vështirë të mendosh se si pushteti do t’ua korrigjonte këto zakone për të cilat po duartrokiten ende pa e patur atë.
E vetmja “meritë” që ky grup na e ka dokumentuar me zell është aftësia për të përndjekur njerëz. Për t’ua njohur këtë, na mjaftojnë videot. Për t’i shpallur shpresë për të ardhmen, na duhet së pari të harrojmë ç’kemi parë në to.