30.5 C
Tirana
14 / 09 / 2026

Ç’punë ka Garda e Republikës të ruajë një gjykatë?!

Nga Ylli Manjani

Ka një pyetje që në një shtet normal duhet të kishte marrë përgjigje ditën e parë: ç’punë ka Garda e Republikës në hyrje të një gjykate?

Sepse kjo nuk është një çështje estetike. Nuk është as çështje protokolli. Është çështje kushtetuese.

Në mënyrë krejt të pashpjeguar, që pas inspektimeve të të ashtuquajturit “Komision Xhafaj” në ndërtesën e GJKKO-së, në perimetrin e jashtëm të saj u shfaq Garda e Republikës. Pak nga pak, Garda nuk mbeti më jashtë. Sot ajo kontrollon edhe hyrjen e gjykatës, kontrollon qytetarët, avokatët dhe vendos kufizime për hyrjen në sallën e gjyqit.

Po me çfarë ligji?

Kush e mori vendimin që një njësi ushtarake të zëvendësojë sigurinë civile apo edhe Policinë e Shtetit në administrimin e rendit të një gjykate?

Garda e Republikës nuk është polici. Garda është një formacion i armatosur, me status, trajnim dhe kompetenca krejt të ndryshme. Ajo është krijuar për të mbrojtur personalitetet më të larta të shtetit dhe institucionet ku ato ushtrojnë funksionet e tyre. Kryen edhe detyra ceremoniale, por mbi të gjitha mbetet një forcë që ligji e pajis me kompetenca shumë më të gjera për përdorimin e armëve sesa Policia e Shtetit.

Shkurt fare: Garda ka ushtarë. Policia ka efektivë policie. Dallimi nuk është terminologjik. Është filozofi shteti.

Pastaj pyetjet bëhen edhe më serioze.

Çfarë rreziku i jashtëzakonshëm ekziston në GJKKO që nuk e përballon dot Policia e Shtetit?

Kush e kanosi kaq rëndë rendin publik sa qeveria u detyrua të vendosë Gardën në dispozicion të një gjykate?

Dhe nëse nuk ka një rrezik të tillë, pse u militarizua hyrja e një institucioni që, sipas Kushtetutës, zhvillon gjykime publike?

Këtu nuk flasim më për siguri. Flasim për kompetenca.

Si mund të mandatohet një ushtar të kontrollojë një avokat apo edhe një prokuror dhe, t’i ndalojë të mbajnëme vete telefonin celular, mjetin e tyre të punës?

Që kur rregullat administrative të sallës së gjyqit zbatohen nga Garda e Republikës? Ç’duhet gjykata kur rregullat i bëka ushtari te dera e saj?!

Që kur një njësi e armatosur vendos se kush hyn dhe kush nuk hyn në një seancë publike?

Rregullat e sallës i vendos gjykatësi, brenda kompetencave që i jep ligji procedural. Nuk i vendos administrata sipas qejfit. Aq më pak një forcë ushtarake.

Dhe pikërisht këtu fillon problemi i madh.

Një gjykatë nuk është kazermë. Nuk është repart ushtarak. Nuk është objekt sekret ushtarak. Është vendi ku qytetari përballet me shtetin dhe ku publiku ka të drejtë të ndjekë drejtësinë në emër të tij.

Kur hyrjen e kontrollon Garda, kur publiku pengohet, kur edhe palëve në proces u vendosen kufizime që nuk burojnë qartë nga ligji, atëherë lind pyetja e pashmangshme:

A mund të quhet ende publike kjo gjykatë?

Në fakt, kjo histori është simptomë e një sëmundjeje më të madhe: shteti po qeveriset sipas humorit të ditës.

Kur humori është i mirë, institucionet bëjnë çfarë të duan. Kur humori prishet, fillojnë t’i tregojnë njëri-tjetrit “kompetencat”.

E njëjta logjikë u përdor edhe me pagat. Ligjet u bënë me humor të mirë. Pastaj, kur erdhi konflikti, secili nxori dhëmbët e kompetencës së vet. Secili flet për “qesen” e vet…

Ky nuk është shtet ligjor. Është administrim emocional i pushtetit.

Dhe fundi është gjithmonë i njëjtë.

Humbet shteti.

Humbet ligji.

Humbet publiku.

Sepse kur shteti fillon të militarizojë hapësirat e drejtësisë pa një shpjegim të qartë ligjor, nuk forcohet autoriteti i tij. Përkundrazi, dobësohet legjitimiteti.

Dhe kur legjitimiteti zëvendësohet me forcë, rrugaçëria merr zemër. Ajo shan, fyen, kërcënon, bllokon sepse ndjehet e lirë dhe që ska kush ta ndalojë. Helbete shteti ka halle me veten e vet….

Kjo nuk tregon kulturë shteti.

Tregon një shtet që, në vend të ligjit, po udhëhiqet nga humori i ditës.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x