Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka akuzuar ministren e re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, se një nga veprimet e para në detyrë lidhet me emërimin e Yllka Kukalajt në drejtimin e OSHISH, duke e lidhur këtë vendim me tenderin e dializës me vlerë 48.2 milionë euro.
Spahia pretendon se emërimi është pjesë e një skeme për kontrollin e fondeve të shëndetësisë dhe akuzon qeverinë se po keqpërdor paratë publike.
“Sapo u vulos tenderi skandaloz 48.2 milionë euro pa garë, akti i parë i ministres së re ishte emërimi i Yllka Shetës, e cila sipas denoncimeve nga qytetarët është kushërirë e parë e gruas së kryeministrit”, shkruan Spahia.
Ai e cilëson këtë vendim si “mega-aferën e radhës” dhe pretendon se dhjetëra milionë euro nga shërbimet e sterilizimit, dializës dhe check-up-it do të mbeten nën kontrollin e njerëzve pranë pushtetit.
Spahia ka deklaruar gjithashtu se Partia Demokratike, nëse vjen në pushtet, do të anullojë procedurat që i konsideron korruptive dhe do të kërkojë ndjekjen penale të personave të përfshirë.
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, i është përgjigjur akuzave duke shpjeguar arsyet e emërimit të Yllka Kukalajt.
“Z. Bardh Spahia ka pyetur publikisht për emërimin e Yllka Kukalajt. Ka të drejtë të pyesë. Unë kam detyrë të përgjigjem”, deklaroi ministrja.
Sipas Spahiut, Kukalaj është ekonomiste dhe ka drejtuar sektorin e buxhetit dhe pagave në Bashkinë e Krujës, ndërsa më pas ka drejtuar spitalin e qytetit për disa vite si titullare e autoritetit kontraktor.
Ministrja tha se e ka njohur Kukalajn gjatë punës së saj në spital, përfshirë periudhat e tërmetit, pandemisë dhe rindërtimit të godinës.
Ajo hodhi poshtë aludimet mbi lidhjet familjare, duke i cilësuar si një mënyrë të vjetër për të sulmuar gratë që marrin poste publike.
“Burrave u numërohen heroizmat. Grave u numërohen kushërinjtë. Kjo nuk është mënyra ime”, tha Spahiu.
Ministrja theksoi se Kukalaj do të vlerësohet për punën që do të kryejë në OSHISH dhe jo për lidhjet familjare që i atribuohen.
“Me mua profesionisti vjen përpara paragjykimit dhe qytetari vjen përpara koncesionit”, u shpreh ajo, duke shtuar se rishikimi i procedurës do të jetë pjesë e mënyrës së saj të punës.
Përplasja mes deputetit të opozitës dhe ministres së re vjen në një moment kur tenderët dhe koncesionet në sektorin e shëndetësisë vijojnë të jenë në qendër të debatit politik.