34.9 C
Tirana
11 / 09 / 2026

Ngërçi me pagat në drejtësi, Gjykata urdhëron Thesarin të procesojë listëpagesat e GJKKO-së: Nëse nuk ekzekutohen…

Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga Gjykata e Durrësit dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke urdhëruar zhbllokimin e fondeve për pagat.

Pasi ka pranuar kërkesën për marrjen e masës së sigurimit të padisë, është urdhëruar Ministrinë e Financave dhe Degën e Thesarit Tiranë të mos pengojnë apo pezullojnë procesin në sistemin e Thesarit të urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave të paraqitura nga GJKKO.

Sipas vendimit, masa e sigurimit ndalon efektet e veprimit administrativ të Ministrisë së Financave, si dhe veprimet pasuese të strukturave të Thesarit që kanë sjellë mosprocedimin, pezullimin apo pengimin e urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave.

Gjykata urdhëron që, gjatë kohëzgjatjes së masës së sigurimit, Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë të vijojnë procesimin e listëpagesave dhe urdhër-shpenzimeve të GJKKO-së.

Vendimi është i ekzekutueshëm menjëherë dhe, në rast mosekzekutimi, parashikon përgjegjësi për shërbimin përmbarimor gjyqësor shtetëror ose privat.

Kundër vendimit lejohet ankim i veçantë në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 5 ditëve nga njoftimi.

Të njëjtën kërkesë e ka bërë edhe Gjykata e Lartë. Edhe gjykatat e tjera në gjithë vendin po ndjekin të njëjtën rrugë ligjore, duke paraqitur padi dhe kërkesa të veçanta për sigurimin e tyre.

Kërkesat për sigurimin e padisë synojnë zgjidhjen e përkohshme të situatës, në mënyrë që punonjësit e gjykatave të marrin pagat, ndërsa çështja vijon të shqyrtohet në themel në Gjykatën Administrative.

Pranimi i sigurimit të padisë përbën një zgjidhje provizore, pasi nuk e mbyll konfliktin në themel. Masa synon të shmangë pasojat e menjëhershme të bllokimit të fondeve dhe të garantojë vijimin e pagesave deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për çështjen.

Në këtë mënyrë, të paktën për momentin, ngërçi financiar që preku gjykatat mund të kapërcehet përmes masave të përkohshme të marra nga gjykata.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x