29.4 C
Tirana
09 / 09 / 2026

“Ndizen” tensionet në Hormuz! SHBA bombardon pesë cisterna iraniane, Irani kundërpërgjigjet me raketa drejt një baze amerikane në Jordani

Përshkallëzohet konflikti mes SHBA-së dhe Iranit.

Forcat amerikane kanë goditur pesë cisterna nafte iraniane, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me raketa ndaj një baze amerikane në Jordani. Jordania thotë se ka rrëzuar 18 nga 20 raketat e lëshuara.

Forcat amerikane kanë goditur pesë cisterna nafte iraniane, në atë që Uashingtoni e cilëson si kundërpërgjigje ndaj dy sulmeve të Iranit me raketa balistike kundër një anijeje luftarake amerikane gjatë dy ditëve të fundit.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), katër cisterna të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) u goditën në Gjirin e Omanit, ndërsa një tjetër u sulmua pranë ishullit Kharg, një prej pikave kryesore të eksportit të naftës iraniane.

Në përgjigje të sulmeve amerikane, Irani lëshoi raketa drejt një baze amerikane në Jordani. Autoritetet jordaneze deklaruan se mbrojtja ajrore e vendit arriti të rrëzonte 18 nga 20 raketat, ndërsa dy të tjera ranë në zona të pabanuara.

Përplasja e fundit shënon një tjetër përshkallëzim të tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit, pas disa ditësh sulmesh reciproke.

Teherani ka paralajmëruar se mund të ndërmarrë sulme të tjera ndaj anijeve amerikane dhe atyre të lidhura me SHBA-në në portet e Kuvajtit dhe Bahreinit.

Komanda Detare e Gardës Revolucionare iraniane u ka bërë thirrje ekuipazheve të cisternave të naftës të lidhura me SHBA-në që të largohen menjëherë nga anijet, duke paralajmëruar se ato mund të bëhen objektiv i sulmeve.

Nga ana tjetër, CENTCOM deklaroi se pesë cisternat e goditura ishin pjesë e një “rrjeti në hije, me vlerë miliarda dollarë”, që sipas amerikanëve financon Gardën Revolucionare Islamike dhe grupet e saj aleate në rajon.

Një prej cisternave u godit pranë ishullit Kharg, ku ndodhet terminali kryesor i Iranit për eksportin e naftës.

Rreth 90% e naftës bruto iraniane kalon përmes këtij ishulli, duke e bërë atë një objektiv me rëndësi të madhe strategjike.

Përshkallëzimi i konfliktit ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës Brent u rrit me rreth 1.5%, në 99.41 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u rrit me 1.6%, duke arritur në rreth 94.55 dollarë për fuçi.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x