29.7 C
Tirana
08 / 09 / 2026

Debate te Konferenca e Kryetarëve, Bardhi përplaset me Peleshin për magjistratët: Zbatoni vendimin e Kushtetueses, gjyqtarët janë pa paga!

Debate dhe akuza të forta gjatë mbledhjes së sotme (8 shtator) të Konferencës së Kryetarëve.

Krizës së pagave në sistemin e drejtësisë i është referuar edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, gjatë mbledhjes, duke u përplasur me kryeparlamentarin Niko Peleshi.

Bardhi i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit, duke kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve.

“Sot gjykatat janë në kolaps pikërisht sepse ju nuk respektoni Kushtetutën”, mësohet të ketë deklaruar Bardhi.

Ai ka theksuar se ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese lidhur me pagat e gjyqtarëve, ndërsa sipas tij Kuvendi nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbatimin e tij.

Bardhi ka përmendur gjithashtu një vendim të Këshillit të Legjislacionit për zbatimin e vendimit të Kushtetueses, duke akuzuar mazhorancën se nuk po vepron.

Sipas tij, situata ka sjellë pasoja konkrete në sistemin e drejtësisë, me gjyqtarët që ende nuk kanë marrë pagat dhe me gjykatat që ndodhen në një situatë krize.

“Përgjegjës është Kuvendi, i cili nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, mësohet të ketë deklaruar Bardhi gjatë mbledhjes.

“Ju jeni kryetari i Kuvendit i vetmi në histori që konsideroni më të rëndësishëm zbatimin e një akti qeveritar sesa Kushtetutën.

Në hierarkinë e normave ju nuk vendosni Kushtetutën e Shqipërisë, por urdhrat e Këshillit të Ministrave. Na folët këtu se si do të jetë sesioni i ri parlamentar, por ju po e nisni këtë sesion duke shkelur Kushtetutën.

E mbyllët sesionin e kaluar duke shkelur Kushtetutën, tani po e nisni me shkelje kushtetuese. Do të duhej që ky Kuvend ta niste sesionin dje. Po ju nuk jeni serioz, nuk e njihni Kushtetutën”, ka shtuar Bardhi.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur administrata e Gjykatës së Tiranës, përfshirë sekretarët gjyqësorë, Dhomën Civile dhe Dhomën Penale, është në bojkot për shkak të ngërçit me pagat e muajit gusht.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x