25.5 C
Tirana
03 / 09 / 2026

Protestuesit që vetëndihen në pushtet mbi Edi Ramën

Nga Mero Baze

Reagimet më nervoze ndaj përpjekjeve të Edi Ramës për t’i përdorur protestat për një rienergjizim të brendshëm të pushtetit vijnë nga ata që janë vetëshpallur pronarë të protestës. Nismat e Edi Ramës për të ristrukturuar komunikimin politik me qytetarët, shumë prej tyre i marrin apriori si një vepër të tyre dhe rrinë 24 orë duke policuar çdo veprim të kryeministrit, me vetëndjesinë e njerëzve që duhet të certifikojnë veprimet e tij.

Njëri del e thotë se nuk është dakord me ndryshimet në qeveri, tjetri jep mendime se sa ministra duhet të heqë, shumica i thonë se duhet të ikë vetë, pastaj vazhdojnë të sulmojnë Besën, radarin, kandarin dhe çfarëdo termi tjetër që shpik Edi Rama, a thua se tani ata janë pushteti dhe Rama një i emëruar i tyre.

Një kor i tërë flamingosh sulmojnë ministren Sala, edhe pse ajo vjen, si pak shqiptarë të diasporës, pas një karriere të suksesshme, të certifikuar nga mjekësia e vendeve më të zhvilluara të Evropës, si Britania e Madhe dhe Italia. Këta që dërdëllisin në emër të diasporës, që ajo të vijë të përmbysë pushtetin, baltosin një prej përfaqësueseve më cilësore të diasporës shqiptare në botë, e cila erdhi për më pak se një vit të kontribuonte në vendin e saj. Dhe e urrejnë jo vetëm se është e zonja, por edhe sepse erdhi këtu të japë kontribut dhe, tani që iku për një angazhim të saj akademik.

Dhe këtë e bëjnë ata që nxjerrin në tribunë gjithë ato gra të gjora me trauma psikike nga diaspora , që jeta i ka përplasur rrugëve të botës dhe pastaj, kur kalojnë të pesëdhjetat, vijnë të kërkojnë atdheun “që ua ka vjedhur Edi Rama”. Se ai ështe modeli i tyre për diasporën, jo një akademike reale e provuar si e tillë.

Ky delir që ka kapur gjithë “udhëheqësit e protestës” është bërë akoma më tragjikomik sot, pas lajmeve se disave prej tyre qeveria u paska mbyllur edhe Facebook-un, duke rrezikuar kështu të ardhmen e protestës online, pasi nuk do të kemi mundësi të shikojmë intervistën e Gonës, që pyet sekretaren e vet:

-A të pëlqej unë për kryeministër? Dhe ajo i thotë “Po”.

Problemi që ka protesta është i ndryshëm nga problemi që ka qeveria me protestën. Problemi i udhëheqësve të protestës është se mendojnë sikur po diktojnë qeverisjen e Ramës, kurse problemi i qeverisë me protestën është se ajo thjesht po përdoret prej Edi Ramës për t’i bërë gjimnastikë elektorale palës së vet përpara zgjedhjeve.

Deri tani, Edi Rama ka pasur më shumë sukses kur i ka injoruar protestuesit sesa kur ka bërë sikur po merret me ta. Ja, për shembull, sot kishim në gazetë një fotografi ku shihej se si ishin bërë bashkë Sali Lusha, “komandant” Goxhaj dhe një flamingo, të cilën Edi Rama e pati marrë seriozisht dhe i dërgonte një kartolinë dashurie gjatë javëve të para, meqë e pa të mërzitur, ulur vetëm në bulevard.

Asgjë tjetër që mund të kishte bërë Edi Rama kundër protestës nuk do ta arrinte dot efektin e asaj fotografie. Pa “ata udhëheqës”, nuk do t’ia kishte arritur dot kësaj dite.

As si kryeministër.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x