Banka qendrore holandeze, DNB, ka zhvendosur 86 ton rezerva ari nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja drejt Londrës, duke e lidhur vendimin me rritjen e “paqëndrueshmërisë gjeopolitike” dhe nevojën për të forcuar përgatitjen ndaj krizave.
Sipas DNB-së, ari është më i lehtë për t’u tregtuar nga Londra sesa nga Nju Jorku apo Otava. Për këtë arsye, zhvendosja synon të rrisë shpejtësinë me të cilën rezervat mund të mobilizohen në rast të një krize.
“Përballë paqëndrueshmërisë gjeopolitike në rritje, DNB po forcon përgatitjen e saj për kriza. Përmirësimi i tregtueshmërisë së arit holandez dhe, rrjedhimisht, shpejtësia me të cilën ai mund të mobilizohet në rast krize, është pjesë e kësaj”, tha banka në një deklaratë.
Kryetari i DNB-së, Olaf Schleippen, tha se masa ka përmirësuar disponueshmërinë e rezervave të arit, duke theksuar se banka shpreson që të mos ketë kurrë nevojë t’i përdorë ato.
“Falë kësaj mase, ne kemi përmirësuar disponueshmërinë e rezervave tona të arit. Po fillojmë nga supozimi se nuk do të na duhet kurrë t’u drejtohemi atyre, por megjithatë është e nevojshme të forcojmë qëndrueshmërinë dhe përgatitjen tonë”, deklaroi Schleippen.
Holanda ka gjithsej 612.4 ton ar, me një vlerë prej rreth 72.2 miliardë eurosh në vitin 2025, sipas DNB-së.
Përpara transferimit, 31.3% e rezervave të arit holandez ndodheshin në Nju Jork dhe 19.7% në Otava. Pas operacionit, përqindja e arit të mbajtur në SHBA ka zbritur në 18.5%, ndërsa ajo në Kanada në 18.5%.
Ndërkohë, pjesa e rezervave të arit të ruajtura në Londër është rritur ndjeshëm, nga 18.1% në 32.1%. Holanda vijon të mbajë 30.8% të rezervave të saj të arit brenda vendit.
Transferimi nuk u realizua vetëm përmes transportit fizik. DNB shpjegoi se operacioni u krye pjesërisht përmes blerjeve dhe shitjeve të arit, si dhe përmes transportit fizik të metalit të çmuar.
Më shumë se 27 ton ar fizik u transportuan nga SHBA-ja dhe Kanadaja drejt Zeistit, në Holandë. Më pas, e njëjta sasi u transportua nga Zeisti drejt Londrës, duke shmangur nevojën për shkrirjen e arit.
Sipas bankës holandeze, kombinimi i blerjeve, shitjeve dhe transportit fizik bëri të mundur shpërndarjen e rreziqeve që lidhen me lëvizjen fizike të një sasie kaq të madhe ari.
Vendimi vjen në një kohë kur bankat qendrore po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi sigurisë dhe disponueshmërisë së rezervave të tyre, në një mjedis të karakterizuar nga tensione dhe pasiguri të shtuara gjeopolitike.
- Ariana Grande shpërthen në lot teksa përfundon turneun dhe i jep lamtumirën skenës - 02/09/2026
- Holanda zhvendos 86 tonë ar nga SHBA dhe Kanadaja në Londër: Paqëndrueshmëria gjeopolitike po rritet - 02/09/2026
- Putin përplaset para mediave me kryeministrin armen/ “Anëtarësimi në BE është problem. Pyesni popullin” - 02/09/2026