34.7 C
Tirana
01 / 09 / 2026

VESPUÇI ZBULOI AMERIKËN, DON KISHOTI MULLINJTË, BERISHA OQEANIN

Oqeani nuk do të ndryshojë fatin e ndonjërit dhe Amerika do të vazhdojë të jetë aty ku ka qenë. E vetmja gjë që do të vazhdojë të udhëtojë gjatë do të jetë fantazia e shqiptarëve në delir, ndërsa Don Kishoti i radhës do të vazhdojë të kërkojë gjigantë përtej oqeanit, edhe kur përballë ka vetëm mullinj ere

Nga Marash Mirashi

Për vite me radhë Shqipëria ka jetuar nën ankthin e një pyetjeje që po ta dëgjonte ndonjë njeri i ardhur nga nje bote tjetër, do të mendonte se këtu po përgatitej një nga ekspeditat më të mëdha të njerëzimit. A do ta kalojë Sali Berisha oqeanin? Pyetja e përsëritur me një solemnitet gati biblik, është analizuar dhe eshte bërë objekt debatesh dhe parashikimesh, sikur në vend të një udhëtimi me avion të bëhej fjale për një ekspeditë drejt një planeti të panjohur, apo për një nga ato udhëtime që mund te ndryshojnë hartën e botës.

Amerigo Vespuçi e kaloi oqeanin pese shekuj me pare dhe emri i tij mbeti në histori si eksploratori i pare i Amerikes, me pas Magelani nisi një udhëtim që i beri te njohur njerëzimit një përmasë tjetër të globit. Nga ana tjeter edhe Servantesi, pa patur nevojë të kalonte ndonje oqean, ashu si Doktori sot, krijoi një nga udhëtimet më të famshme të letërsisë boterore, mori një fisnik të rrënuar nga një fshat i Spanjës, e hipi mbi Rosinantin e famshem dhe e nisi drejt një bote ku mullinjtë e erës shndërroheshin në gjigantë. Ne ketë pikepamje, Don Kishoti nuk ndryshoi hartën e botës por shenoi nje nga kthesat me te medha te letersise.

Dhe ja ku mbërrijmë te Shqipëria e sotme, ku udhëtimi i një politikani drejt Amerikës po trajtohet me një rëndësi që do ta kishin zili edhe vete Magelani, Amerigo Vespuçi e sidomos Don Kishoti i Servantesit.

Ndoshta kjo është një nga marrëzitë më të mëdha të natyrës sonë kombëtare, pasi ne shqiptaret kemi një talent të jashtëzakonshëm për ta kthyer të zakonshmen në nje spektakël. Qytetari shqiptar mund të pijë një gotë raki dhe brenda pesë minutash të zgjidhë politikën amerikane, luftën në Ukrainë, fatin e Evropës e madje edhe zgjedhjet e mesmandatit në SHBA. Mund të mos e ketë kaluar kurrë Atlantikun, por është i bindur se e njeh atë më mirë sesa edhe vete kapitenët e anijeve. Mund të mos ketë qenë kurrë në Uashington, por e di se çfarë mendojnë senatorët.

Kështu pyetja: – a e kalon dot Sali Berisha oqeanin, – u bë dite pas dite një lloj parulle argetuese kombëtare. Pasi kaluan nja pese vjet te mira me kete tollovi nacionale, më në fund

nuk pyetet më: A do ta kalojë Sali Berisha oqeanin, por ne vend te saj thuhet, Berisha do të shkojë në Amerike! Shqiptaret qe bejne politike dhe pijne kafe e raki, ulur ne poltronet luksoze te Tiranes e me gjere, kane zbuluar me shume se te gjitha zbulimet e botes bashke. Mediat jane qorollepsur keq. Analistet djersijne a thua se po perpiqen te shuajne flaket mbi Dajt…

Por sidoqofte pyetja që mbetet është shumë më e thjeshtë dhe shumë më e pamëshirshme: çfarë dobie do t’i sjellë botës udhëtimi i Berishës në Amerikë? Sepse udhëtimet e mëdha të njerëzimit e kanë pasur një arsye. Vespuçi solli një emër te ri ne gjeografinë e botes. Magelani nje version të ri, ndersa Servantesi na dha Don Kishotin, heroin tragjikomik që vazhdon të udhëtojë edhe sot, sa herë që një njeri lufton me një realitet që vetëm ai e beson se ekziston.

Po ne populli krenar e taksapagues shqiptar çfarë do të fitojmë nga ky udhëtim? Do të fitojmë lajme, fotografi, deklarata, transmetime televizive dhe idiotësira portalesh. Një gjë është e sigurt. Oqeani nuk do të ndryshojë fatin e ndonjërit dhe Amerika do të vazhdojë të jetë aty ku ka qenë. E vetmja gjë që do të vazhdojë të udhëtojë gjatë do të jetë fantazia e shqiptarëve në delir, ndërsa Don Kishoti i radhës do të vazhdojë të kërkojë gjigantë përtej oqeanit, edhe kur përballë ka vetëm mullinj ere.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x