Vrasja e 25-vjeçares Jetlira Foniqi, e cila ishte në javën e 34-t të shtatzënisë, ka shkaktuar tronditje dhe reagime të shumta në opinionin publik.
Dhimbja për humbjen e saj dhe të foshnjës u shndërrua në revoltë qytetare, ndërsa në Prishtinë u organizua protestë me kërkesën që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.
Qytetarë të shumtë dolën në shesh për të kërkuar masa të menjëhershme institucionale kundër dhunës ndaj grave dhe një reagim më të fuqishëm të sistemit për mbrojtjen e viktimave.
Tayna i bashkohet reagimit publik
Protestës dhe thirrjeve publike iu bashkua edhe reperja Tayna.
Përmes një postimi në InstaStory, artistja publikoi pamje nga protesta në Prishtinë dhe reagoi ashpër ndaj dhunës ndaj grave dhe mentalitetit që, sipas saj, vazhdon ta ushqejë këtë fenomen.
Tayna vuri në pah kontrastin mes zhvillimit të shpejtë teknologjik dhe problemeve themelore shoqërore që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.
Sipas saj, është e papranueshme që në një kohë kur bota diskuton për inteligjencë artificiale, robotë dhe teknologji të avancuar, gratë ende duhet të protestojnë për të drejtën më elementare – të drejtën për të jetuar.
“Kontrolli është ngatërruar me burrërinë”
Artistja kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, disa modele të gabuara të sjelljes vazhdojnë të trashëgohen nga një brez te tjetri.
Ajo theksoi se për shumë kohë kontrolli është paraqitur si burrëri, ndërsa posesiviteti është ngatërruar me dashurinë.
