Nga Adriana Dizdari Priftuli
‘E kam mik, Robertin’, thotë njëri. ‘E kam shok’, thotë tjetri. ‘Ohhh, e njoh mirë’, thotë dikush tjetër. ‘ Kam punuar me të dikur në Pallatin e Pionierëve dhe e njoh mirë’, thotë një i moshuar….
Dhe vërtet, të gjithë e njohin Rodertin! Por ju siguroj se asnjëri nuk e njeh Robertin si e njohim ne, nxënësit e Liceut Artistik Jordan Misja, ne, liceistët e viteve 50 – 60. Jam e sigurt, se kushdo nga këta “ liceistë” që do lexojë këto rrjeshta, mëndja do i kapërcejë shumë vjet, dhe do gjëndet në atë oborrin e madh të liceut në rrugën e Kavajës. Do i kujtohen shumë shokë e shoqe dhe vëmendja do i përqëndrohet në figurën e një djali afër të njëzetave, pothuaj bjond, elegant dhe simpatik, rrethuar nga një tufë fëmijësh dhe adoleshentësh. Jemi ne “ liceistët e vegjël” që e kemi rrethuar dhe e dëgjojmë…… ç’po na thotë vallë? …..Sepse Roberti do na thoshte patjetër diçka. Ndoshta po na fliste për muzikën, pasionin e tij të madh. Ndoshta për kompozitorët. Ndoshta edhe për organizimin e një loje basketbolli ose volejbolli, ose për atë lojën aq të veçantë ‘ngriva – shkriva’, sepse Roberti nuk pushonte së organizuari diçka. Ne kishim vite në konviktin e liceut, ishim të stazhionuar me rutinën e ditëve…. Mësim i përgjithshëm, mësimi i instrumentit, studimi, menza dhe fjetorja. Roberti sa kishte ardhur në konvikt, sillte një fllad pavarësie që ia kish ushqyer fshati i tij Renci dhe Shkodra. Dinte shumë gjëra që ne nuk i dinim. Edhe sikur t’i shpikte vetë ato që na thoshte, ne e besonim, se për ne ishte më shumë se shok, ishte një vëlla i madh. Atë kishim ne, drejtor shkolle, kujdestar konvikti, mësues dhe përgjegjës të rregullit. Ishte një lider për ne më të vegjlit.
Liceu Artistik i atyre viteve ruante me fanatizëm disa rregulla në jetën e përditshme. Zgjimi, ushqimi, oraret e mësimit dhe të studimit ishin të përcaktuara qartë dhe në mënyrë rigoroze. Nuk mund të dilje nga oborri rrethues ku gjëndesh shkolla dhe konvikti pa lejen e kujdestarëve ose drejtorit. Dita e shtunë dhe e djelë kishin një hapësirë më të madhe lirie, por kthimi në darkë ishte i kontrolluar dhe me orar të saktë. Zakonisht të shtunave na çonin në kinema ose në opera, por gjithmonë në rrjesht si ushtarë, dhe po ashtu ktheheshim. Të djelën shkonim tek të afërmit tanë ose dilnim shëtitje me shoqet. Edhe këtu Roberti ishte prezent. Dhe në rast se ndonjë nga konviktorët e rritur vinte me vonesë, Roberti do e gjente mënyrën që ai të futej brënda, pa rënë në kthetrat e kujdestarëve të konviktit, që nuk falnin. Kishte një forcë hipnotizuese Roberti! Ne mahniteshim kur luante në piano, megjithëse nuk kishte një shkollim profesional të organizuar, por muzika ishte brënda tij dhe kërkonte rrugëdalje.
– Do ngremë një kuartet, – na thotë një ditë – si thoni? U pamë me njëra tjetrën për të kuptuar se ç’është ky “kuartet”. Roberti i doli punës përpara.
– Kush ka dëshirë të këndojë, të vijë. Do ju provoj a keni zë dhe do bëjmë diçka shumë të bukur.
Shumë joshëse kjo gjë për ne konviktoret. Ne këndonim gjithë ditën me njëra tjetrën por ky propozim sikur kish ca ngjyra fosforeshente, na u duk si një përrallë me të bukurën e dheut dhe princin me kalë. Dhe çfarë pasioni nga ne të zgjedhurat për kuartetin (Kozeta, Dijanira, unë dhe Luluja, …..mund dhe të gaboj por pak rëndësi ka)!
Roberti filloi trajnimin, fillimisht me një të kuqe veze në mëngjes (ku i gjente?) pastaj me ndonjë karamele dhe ne bënim prova përditë. Këndonim ato këngë që ishin në modë dhe Roberti i dëgjonte në radio ose nëpër filma. Dhe pastaj sukses i padiskutuar në mbrëmjet e festave të çlirimit, të Vitit të Ri, deri sa (çudi e madhe!) inçizuam edhe në Radio Tirana (kurioze jam, të kenë mbetur vallë në arkivin e radios?).
Liceu Artistik i asaj kohe ishte një shkollë e madhe, i pari institucion artistik shkollor në vëndin tonë. Pedagogët, si të muzikës, të pikturës, të artit dramatik, ishin të ardhur nga shkollat prestigjioze europiane, dhe ndjenja sublime e këtyre pedagogëve në edukimin artistik të këtyre fëmijëve, adoleshentëve, por edhe të rriturve, është kaq emocionuese. Nga klasat, vërshonte në oborrin e madh të shkollës, talenti, pasioni për të mësuar, grumbullohej aty nëpër stolat e oborrit, kthehej në diskutime, inate dhe xhelozira të vogla, në projekte, në ëndrra, dhe, edhe këtu patjetër do ishte Roberti.
“Mësimi i Pyllit” (ndoshta nuk gaboj në emërtim) ishte një operetë për fëmijë kompozuar nga Tonin Harapi. Roberti, me ato fluturimet ëndërrimtare, vendosi që ta realizonim, dhe vërtet filloi ndarja e roleve të personazheve. Fillimisht, m’u besua mua roli kryesor, por nuk vazhdoi gjatë ky “roli” im……duhej edhe të këndoje, edhe të kërceje dhe siç u pa, nuk ishte për mua dhe roli iu besua dikujt tjetër. Oh, zhgënjimi im ishte i madh, por e gëlltita……..e ç’të bëja tjetër? Por në të vërtetë, ky projekt nuk e pati fatin e “kuartetit”, nuk vazhdoi gjatë.
Sigurisht Roberti ishte pjesëmarrës në të gjitha koncertet e shkollës. Një gazetë vlerësoi Robertin si një pianist të talentuar dhe botoi një shkrim me gjithë një foto. Ishin gjëra të rralla në atë kohë. Një i ri nga gjimnazi i Gjirokastrës, i apasionuar pas muzikës, e lexon shkrimin, pret foton dhe e mban në xhepin e xhaketës, ndoshta si “ hajmali” fatsjellëse. Kur ky i ri hyn në lice (ndoshta e ndihmoi “hajmalija”), takon Robertin në oborr të shkollës. Nuk ishin parë kurrë, por djali i ri i dashuruar me muzikën dhe me foton që e mbante në gjoks e pyet:
– Ti je Robert Radoja?
– Po, unë jam. A njihna?
– Unë të njoh,- i përgjigjet djali dhe nxjer foton nga xhepi……. Dhe që nga ai moment, ata i bashkoi muzika, i bashkuan interesat e përbashkëta, i bashkoi dashuria e sinqertë, respekti reciprok.
Ky djalë ishte Limos Dizdari që vinte nga Gjirokastra me foton e Robertit në xhep. Që atë moment ëndërruan bashkë, punuan bashkë, u zunë dhe bërtitën bashkë, krijuan familje dhe e transportuan miqësinë në familjet e tyre……. Diskutimet për artin, muzikën, shoqërinë, sistemin dhe ndonjë gotë raki mbushnin jetën e tyre në atë kornizën e padepërtueshme, të quajtur Shqipëri.
Por jeta është një çudi e madhe, të godet, të përkëdhel, të vesh një kostum që herë të merr frymën, dhe herë të bën të ndihesh i lehtë si një gjethe që e merr era pa vendosur ku ta lëshojë.
Roberti, me natyrën e tij pozitive, me karakterin e tij të fortë, i përballoi me stoiçizëm goditjet e jetës, vazhdoi të punojë dhe punon, pa pyetur për vitet që i rëndojnë në kurriz. Ndihmon këdo që do mbështetjen e tij, dhe prandaj thonë “Robertin e kam mik” edhe po ta kenë njohur një ditë më parë.
Nuk i harroj dot lotët e Robertit në spital kur Limosi ishte i intubuar. Si askush tjetër më shtrëngoi në krahë, shtrënguam njëri-tjetrin përmes lotësh, si për t’i dhënë kurajo njëri-tjetrit. Edhe sot që na ndan një oqean, miqësia jonë nuk rresht së gjeturi rrugë për ta kapërcyer largësinë……çdo mbrëmje një celular na sjell aromën e lule Blirit dhe Mimozave të bulevardeve të Tiranës.

- Sezoni i ri politik, Rama thërret në Pogradec drejtuesit politikë! Nesër mbledhje me ministrat - 23/08/2026
- “Luftoni për Trump!”/ Mbi 150 postime në një ditë, CNN zbulon besnikërinë e Natalie Harp ndaj Presidentit amerikan, çfarë shkroi ajo në ditën e sulmit në Kapitol - 23/08/2026
- Drejtësia nuk duhet të ndëshkojë - 23/08/2026