Nga Auron Tare
Për t’iu shmangur pak vapës së gushtit dhe mungesës së lajmeve, po hedh për lexim për ndjekësit e mi një histori disi interesante.
Një histori që tregon, në një farë mënyre, klishetë e nacionalizmit të kohëve të sotme, ku kërkohet me ngulm përvetësimi i çdo figure, sado pak historike, apo i çdo ngjarjeje që mund të prodhojë një lajm.
Por kjo histori tregon edhe diçka tjetër, cekëtinë e kërkimit dhe të mendimit kur historia përdoret për të prodhuar identitete të gatshme.
Disa kohë më parë, Ambasada Australiane në Athinë organizoi një ceremoni për “gruan e parë greke” që shkeli në tokën australiane. Me sa duket, dikush në ambasadë kishte gjetur një libër në greqisht, të shkruar nga një studiuese e re nga Janina, dhe kishte menduar se prezantimi i tij do të sillte një lajm interesant mbi “grekët e famshëm në Australi”. Libri i prezantuar nga vetë Ambasadori Australian në Athinë, Duncan, fliste mbi marrëdhëniet dypalëshe etj., pjesë e zhargonit diplomatik.
Por, përtej cekëtisë së lajmit, personazhi që ambasada australiane promovonte si “gruan e parë greke në Australi” është, në të vërtetë, një figurë interesante e historisë së Epirit të Ali Pashë Tepelenës.
Bëhet fjalë për Katerina Plesën, nga fshati Plesa i Filiatit, në zonën historike të Sulit.
Emri i saj më kujtohej shumë shkarazi nga një letër e një udhëtari britanik në Ishujt Jonianë, ku përmendej njohja e saj me një oficer britanik, veteran të Luftës së Vaterlosë.
Pas disa kërkimesh, gjeta burime që ajo, në fakt, ishte vajza e Vasilikisë, një grua që kishte marrëdhënie me Myftarin, djalin e madh të Ali Pashë Tepelenës.
Sipas dëshmive të kohës, Myftari ishte shumë i lidhur me këtë Vasiliki, e cila, në mënyrë interesante, vinte nga i njëjti fshat me Vasilikinë tjetër të famshme, gruan që u martua me Ali Pashën.
Vasiliki Plassou (Plesa), nga fshati Plesa i Filiatit, ishte martuar me një tregtar nga Seresi dhe, me sa duket, me interesimin e Myftarit ishte sjellë në Janinë ku jetonte në një shtëpi të madhe jashtë mureve të kalasë, në lagjen e të krishterëve.
Katerina, e cila erdhi në Janinë në moshë të vogël, u rrit në ambientin kozmopolit të Janinës së Ali Pashës. Ishte një fëmijëri pak a shumë e mbrojtur, por njëkohësisht në kontakt me njerëz dhe figura që në atë kohë luanin role të rëndësishme në politikën e Epirit.
Vasilikia, duke përdorur marrëdhëniet dhe kontaktet e rëndësishme që kishte, mundi të siguronte për vajzën e vet një fejesë me një prej të rinjve më premtues dhe interesantë të Janinës, Jani Koletin, i cili, pasi ishte kthyer nga Universiteti i Pizës, ku studioi mjekësi me bursë nga Ali Pasha, ishte bërë mjeku personal i Myftarit. Me sa duket, marrëdhëniet e Vasilikisë me Myftarin kishin bërë të mundur këtë mblesëri, edhe pse Katerina në atë kohë ishte vetëm 12 vjeç.
Rënia e dinastisë së Ali Pashë Tepelenës, vrasja e Myftarit në Turqi, ku ishte internuar pas vrasjes së të atit, dhe trazirat e mëdha politike e ushtarake të viteve 1820 ndryshuan fatin e kësaj vajze. Pas luftës në Janinë, Vasilikia kishte mbërritur në Tepelenë së bashku me të bijën. Ndoshta se Tepelena konsiderohej si vend i mbrojtur nga ushtria otomane. Por, pas një qëndrimi të shkurtër në Tepelenë, ajo kishte mundur të arrinte në Mesolongji, ku u vendosën për pak kohë.
Fejesa me Jani Koletin duket se nuk u konsumua kurrë, pasi nuk ka asnjë burim që Jani Koleti dhe Katerina u takuan më pas, pas vrasjes së Aliut. Vasilikia dhe Katerina, dy gra pa mbrojtje në një periudhë kur gjithë Epiri dhe Greqia kontinentale ishin përfshirë në luftë, po përpiqeshin të gjenin një vend ku mund të jetonin pa frikë.
Vendosja në Mesolongji dhe kryengritja greke kundër Turqisë kishin përmbysur çdo mundësi për t’u kthyer në Janinë. Duke parë se e ardhmja ishte e pasigurt, Vasilikia dhe e bija u drejtuan drejt Ishujve Jonianë, të cilët në atë kohë ndodheshin nën protektoratin britanik.
Dhe pikërisht këtu fillon një tjetër kapitull i jashtëzakonshëm i jetës së Katerinës.
Tashmë një vajzë e rritur, ajo njohu një oficer britanik, James Henry Crummer, veteran i Luftës së Vaterlosë dhe komandant i Regjimentit të 28-të të Këmbësorisë.
Crummer ishte vendosur në Kalamos, një nga ishujt ku autoritetet britanike kishin krijuar një prani të rëndësishme gjatë trazirave të Luftës së Pavarësisë Greke.
Pikërisht këtu dokumentet britanike shkruajnë se, më 17 shkurt 1827, James Henry Crummer martohet me Catherine Georgia Plessou (sipas regjistrit të gjendjes civile britanike).
Me lirimin nga ushtria, James Crummer dhe Katerina Plesa vendosin të fillojnë një jetë të re në Australinë e largët dhe, në vitin 1835, Katerina mbërriti në Sydney.
Pak a shumë kjo është historia e vajzës nga Filiati i Sulit në Epir.
E gjithë kjo aventurë është interesante për të treguar se si një vajzë e re, e gjendur në një prej vorbullave më të fuqishme të kohës, e rritur pranë figurave historike, arriti të shkojë në Australinë e largët.
Fatkeqësisht, në kohët ku jetojmë, çdo mundësi për etikime nacionaliste mbështetet si nga politika të caktuara kulturore, ashtu edhe nga cekëtia e personave të përfshirë.
Fati i një vajze nga Filiati i Sulit nuk ka përse të kthehet në një debat me nota nacionaliste, por ndoshta nga një herë ia vlen që heshtja dhe neglizhenca ndaj këtyre përpjekjeve qesharake për të marrë çdo lloj vlere dhe për ta transformuar, duhet treguar.
Në një hapësirë pa kufij, ku lëvizjet e njerëzve ishin tejet të lira sipas interesave ekonomike dhe kulturore, është historikisht jo e vërtetë që të përcaktosh çdo gjë si greke apo shqiptare bazuar në kufirin e vendosur në 1912.
Jam i bindur që Katerina e vogël, e rritur në një ambient liberal, plot kulturë kozmopolite, si Janina e Ali Pashës, nuk ka pasur asnjëherë komplekse nacionale. Lindur në një fshat të Sulit, ku një pjesë e mirë e popullatës ishte e besimit të krishterë, ku liria fetare e përkrahur nga Ali Pasha ishte e spikatur dhe ku arti, shkenca, edukimi dhe kultura vlerësoheshin në maksimum, ajo nuk besoj se kishte komplekse për t’u vetëidentifikuar si “greke”, “shqiptare” apo edhe “vllahe”.
Katerina Plesa e vendosi vetë fatin e saj dhe, me një guxim të jashtëzakonshëm, filloi një jetë të re në brigjet e largëta të Australisë.
Fatkeqësisht, “studiuesit” e sotëm kërkojnë me ngulm që ajo të kishte një përkatësi të caktuar etnike, por, me shumë mundësi, atje lart ku pushon qetësisht, ajo do të jetë duke buzëqeshur.
Katerina Plesa ishte një vajzë nga Suli. Rritur në Janinë pranë Ali Pasha Tepelenës dhe mbylli sytë në Australinë e largët.
Kaq mjafton në jetë.
- Nga Clinton te Trump/ Si shërbimi sekret e ka “zhdukur” Presidentin nga “Air Force One” - 11/08/2026
- Histori e trazuar - 11/08/2026
- Mbi tiraninë e shumicës dhe heshtjen e arsyes - 11/08/2026