Ministri serb i Integrimit Europian, Nemanja Staroviç, reagoi ndaj postimit të kryeministrit Edi Rama, i cili kishte reaguar nga ana e tij ndaj deklaratave të ardhura nga Beogradi në lidhje me Kosovën dhe lumin Ibër, si dhe përfshirjen e Shqipërisë në debat.
Në platformën “X”, Staroviç shkruan: “Toni është sharmant në maksimum, por kjo nuk mund të fshehë shmangien e çështjes më thelbësore: Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila mbetet ende në fuqi. Pikërisht këtu qëndron dobësia e këtij argumentimi, sado poetik të tingëllojë. Kosova* ndodhet brenda kufijve të Serbisë të njohur nga OKB-ja. Integriteti territorial dhe respektimi i kufijve duhet të jenë parime të qëndrueshme dhe të zbatohen njësoj për të gjithë — qoftë kur flasim për Serbinë, Ukrainën, Kinën, Qipron apo edhe Shqipërinë”.
Më tej, siç përcjell A2, ministri shton: “Të flasësh për marrëdhënie të mira fqinjësore, ndërkohë që të refuzosh respektimin e integritetit territorial të fqinjit, bën që këto deklarata të rrezikohet të mbeten vetëm në nivelin e retorikës. E njëjta gjë vlen edhe për referencat ndaj vlerave evropiane dhe të drejtave të komunitetit serb, ndërkohë që anashkalohen Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 dhe çështja ende e pazgjidhur e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kjo është çështja thelbësore — dhe jo lumi Ibër apo planet për menaxhimin e ujërave. Të gjithë synojmë një të ardhme evropiane dhe duhet të punojmë së bashku për ta arritur atë. Por një e ardhme e tillë kërkon drejtësi, sinqeritet dhe respekt të ndërsjellë. Pa këto elemente, çdo deklaratë për marrëdhënie të mira fqinjësore rrezikon të mbetet një kështjellë rëre, me probleme të mëdha strukture”.