Nga Albert Nikolla
Një nga shenjat dalluese kohës sonë është prirja për ta çuar çdo gjë përtej masës së vet. Ajo që dikur kishte kufijtë e saj të natyrshëm, sot kërkon të bëhet më e madhe, më e zhurmshme, më e skajshme. Erosi rrëshqet në pornografi, rrëfimi i ankthshëm në dhunë, debati në përplasje, polemika në fyerje dhe protesta në një garë zërash të lartë. Italo Calvino, te Leksione amerikane, duke folur për magjinë e artit, sjell ndër mend figurën e skulptorit që nuk shton, por heq. Nga guri ai largon atë që është e tepërt, derisa të mbetet vetëm trajta që ka qenë e fshehur brenda tij. Edhe mendimi politik ka nevojë për një punë të tillë: të heqë të tepërtën, zhurmën dhe emocionin e panevojshëm, në mënyrë që të duket më qartë thelbi. Druaj se tepria është shenjë dalluese e jona si shqiptarë.
Protesta lind nga një pakënaqësi konkrete dhe i drejtohet një pushteti konkret. Ajo nuk është thjesht shprehje zemërimi; është një marrëdhënie politike midis qytetarit dhe shtetit. Prandaj, edhe vetë natyra e saj ndryshon kur në të hyjnë, si forcë organizuese apo drejtuese, aktorë që nuk i përkasin jetës politike të atij shteti.
Këtu duhet bërë një dallim që shpesh lihet mënjanë: dallimi midis solidaritetit dhe ndërhyrjes. Shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut kanë, natyrshëm, të drejtë të kenë mendim për atë që ndodh në Shqipëri. Lidhjet e gjakut, të gjuhës, të historisë dhe të mbamendjes nuk mund të maten me kufijtë administrativë. Një shqiptar i Prishtinës apo i Tetovës mund të ndiejë si të vetën një ngjarje që ndodh në Tiranë, ashtu si një shqiptar i Tiranës mund të emocionohet nga një ngjarje që ndodh në Prizren apo në Shkup.
Por ndjenja e përkatësisë nuk është mandat politik. Shqipëria është shtet më vete. Kosova është shtet më vete. Maqedonia e Veriut po ashtu. Kjo nuk e mohon atë që shqiptarët kanë të përbashkët; përkundrazi, e vendos atë në një marrëdhënie më të shëndetshme me realitetin politik. Mund të kemi gjuhë e histori të përbashkët, mund të kemi kujtesë dhe interesa të afërta, por kemi edhe institucione, ligje dhe përgjegjësi shtetërore të ndryshme.
Fatin politik të një shteti duhet ta përcaktojnë vetëm qytetarët e atij shteti. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për protesta kundër qeverisë. Ata që votojnë në Shqipëri, që jetojnë nën ligjet e saj, që paguajnë taksat dhe që përballojnë drejtpërdrejt pasojat e vendimeve të pushtetit, janë ata që mbajnë barrën kryesore të përgjegjësisë politike. Mund të ketë solidaritet nga jashtë, mund të ketë mbështetje morale, mund të ketë shprehje të vullnetit dhe të simpatisë. Por një gjë është solidariteti dhe tjetër gjë është të marrësh pjesë në përcaktimin e fatit politik të një shteti që nuk është i yti.
Nëse kemi një protestë kulturore, mjedisore apo shoqërore, e cila prek interesa që kapërcejnë kufijtë, pjesëmarrja e qytetarëve të vendeve të tjera është e kuptueshme dhe, në raste të caktuara, e dobishme. Një lumë nuk njeh kufi, as ajri, as deti, as një central bërthamor; as shumë prej problemeve të shoqërive moderne nuk mund të mbyllen brenda një vije kufitare.
Por protesta politike ka një natyrë tjetër. Ajo i drejtohet pushtetit të një shteti dhe kërkon të ndikojë mbi mënyrën se si ai shtet qeveriset. Prandaj, kur një protestë e tillë shndërrohet në një mobilizim të gjerë ndërkufitar, lind një pyetje që nuk mund të anashkalohet: ku mbaron solidariteti dhe ku fillon ndërhyrja?
Kjo pyetje në Ballkan nuk është një çështje fjalësh. Historia e këtij gadishulli na mëson se kufijtë politikë, identitetet kombëtare dhe pretendimet për të folur në emër të të tjerëve kanë qenë shpesh burim mosbesimi e konflikti. Prandaj, pikërisht ne shqiptarët duhet të jemi të kujdesshëm që lidhjet tona kombëtare të mos sëmuren e të mos kapërcejnë kufijtë e përgjegjësisë politike.
Një komb mund të jetë i përbashkët në shumë prej shtresave të tij shpirtërore e historike, pa pasur nevojë që politika e tij të bëhet e përbashkët në çdo gjë. Madje, respekti për njëri-tjetrin fillon edhe aty ku pranojmë se kemi përgjegjësi të ndryshme.
Shqipëria duhet t’i zgjidhë çështjet e saj politike nëpërmjet qytetarëve dhe institucioneve të saj. Kosova çështjet e veta nëpërmjet qytetarëve dhe institucioneve të saj. E njëjta gjë vlen për Maqedoninë e Veriut. Kjo nuk është largim nga njëri-tjetri; është, në një kuptim më të pjekur, dallim, respekt e dashamirësi për njëri-tjetrin.
Ka edhe një kufi tjetër që duhet ruajtur: kufiri delikat midis fesë dhe politikës. Shqipëria është shtet laik. Kjo nuk do të thotë se feja duhet të largohet nga jeta e qytetarëve; përkundrazi, liria fetare është pjesë themelore e lirisë së individit. Por shteti dhe politika nuk duhet të bëhen pronë e një organizimi fetar. Një protestë politike, nëse do të mbetet e tillë, duhet të jetë qytetare në themel dhe laike në karakter. Bindja fetare e individit është çështje e lirisë së tij; përdorimi politik i fesë është çështje tjetër.
Prandaj nuk ka nevojë të importojmë nga jashtë atë që duhet të lindë brenda nesh. Nuk kemi nevojë për një internacionalizëm ballkanik të protestës, sepse solidariteti nuk matet me numrin e atyre që kalojnë kufirin, por me respektin që tregojnë për përgjegjësinë e njëri-tjetrit. Shqipëria nuk ka nevojë për një protestë të huazuar, ka nevojë për qytetarët e saj.