21 C
Tirana
08 / 06 / 2026

“Kur populli bëhet doktor i vetes”

Nga Ledio Alite

Këto ditë ka ndodhur ajo që nuk perceptohej të ndodhte. Në momentin kur të gjithë mendonim se është realizuar narkoza finale, njerëzit dolën në sheshe më të kthjellët se kurrë, më të argumentuar se kurrë, më të bashkuar se kurrë.

Fitorja fillestare epokale që qytetarët shqiptarë arritën këto ditë, është identifikimi, diagnostikimi i kancerit social-politik që ka pushtuar vendin.

Tashmë të gjithë jo vetëm e dinë të vërtetën, por nuk kanë më as frikë ta bërtasin atë.

Në këto kushte, shoqëria shqiptare si një trup i sëmurë nga ky kancer, po gjeneron qelizat e saj për mposhtjen e tij me qëllim vazhdimësinë e jetës normalisht.

Asnjë ndihmesë e jashtme në trajtimin e kësaj sëmundjeje nuk do ishte e suksesshme nëse vetë ky trup nuk do zgjohej për ta luftuar. Ky është parim themelor i shërimit.

Bashkimi i qytetarëve në këtë lëvizje cilësore vërehet kudo bazuar në përbërjen sociale të diversifikuar që ato përfaqësojnë. Praktikisht, kjo lëvizje ka marrë trajtën e lëvizjes popullore pikërisht prej unifikimit të qendrimeve në të gjithë sektorët e profesionet.

Si e tillë, ajo komunikon pa një përfaqësues, sepse sovrani në mënyrë të tillë të pandashme komunikon që nga momenti që ka vendosur kontratën sociale në territorin e vet me anë të Kushtetutës.

Sovrani nuk ka detyrim të respektojë afate mandatore nëse qeveria e tij nuk i pëlqen, pasi qeveria është shërbëtore e tij pa të drejta për pretendime edhe sikur t’i kërkohet largimi me punë të përmbushura, e jo më me një mal mëkatesh. 

Fitorja përfundimtare e kësaj lëvizjeje popullore konsiston në dy pika:

1. Riprodhimi i qelizave anti-kancerit, pra numrit të popullit që proteston deri në eleminimin e këtij kanceri dhe shërimin final.

2. Të kuptuarit përfundimisht, se pjesëmarrja në zgjedhje është një detyrim dhe jo më vetëm një e drejtë, pasi prej mungesës saj, bëhen të njëjtat gabime dhe kanceri rrezikon të rikthehet. 

Për ta lehtësuar logjikën e skeptikëve të votimit, parimi kryesor në zgjedhjen e gjithçkaje, është të zgjedhësh në fillim kundër asaj që nuk do, e tashmë është më e lehtë sepse nismat e paprovuara politike nuk mungojnë.

Në këtë sfidë finale, slogani më i vlefshëm për të gjithë ata që pyesin çfarë duhet të bëhet nesër është: 

“Nesër më shumë”.

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x