Partia Socialiste e Tiranës ka përkujtuar sot 35-vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet të organizuar në Pallatin e Kongreseve, ku morën pjesë qindra socialistë, funksionarë dhe ish-funksionarë të lartë të kësaj force politike.
Në aktivitetin përkujtimor u prezantua një retrospektivë e historisë së Partisë Socialiste në kryeqytet, duke sjellë në vëmendje momentet kryesore të rrugëtimit të saj politik, nga periudha kur partia drejtohej nga Fatos Nano e deri në ditët e sotme.
Përmes materialeve filmike dhe pamjeve arkivore u pasqyrua evolucioni politik i forcës më të madhe të majtë në vend, si dhe transformimet e Tiranës ndër vite.
Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua ndryshimeve që ka përjetuar kryeqyteti gjatë dy dekadave të fundit, duke vënë në kontrast Tiranën para vitit 2001 me zhvillimet e mëvonshme.
Sipas materialit të shfaqur gjatë aktivitetit, Tirana e viteve para vitit 2001 karakterizohej nga mungesa e infrastrukturës, hapësirave publike dhe nga problematika të shumta urbane.
Ndërkohë, në pamjet e prezantuara u evidentuan investimet dhe transformimet e realizuara gjatë periudhës kur Edi Rama drejtoi Bashkinë e Tiranës, si dhe zhvillimet e mëvonshme nën administrimin e Erion Veliajt.
Në aktivitet u theksua gjithashtu rrugëtimi i Partisë Socialiste në drejtimin e vendit dhe objektivi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, që u cilësua si një nga sfidat kryesore të viteve të ardhshme.
35-vjetori i themelimit të degës së PS-së në Tiranë u shënua në kuadër të aktiviteteve që socialistët kanë organizuar gjatë këtij viti për të kujtuar historinë dhe kontributin e kësaj force politike në jetën publike të vendit.
- Omar Yaghi, refugjati nga Omani, kimisti i nderuar me Nobel, që po shuan etjen globale me ujë të nxjerrë nga ajri i thatë - 22/07/2026
- Franca dhe Gjermania bashkojnë forcat për një Kupë Bote, dy fuqitë europiane përgatisin kandidaturën e përbashkët - 22/07/2026
- Arrestimi i 34-vjeçares në Rinas dhe dërgimi në burg bashkë me foshnjën, Presidenti Begaj kontakton ministrin e Drejtësisë për procedurat e lirimit - 22/07/2026