Marrëveshja me Iranin mund të presë. Për Donald Trump, duket se ka çështje më të rëndësishme në axhendën e tij verore, siç është dëshira e vjetër për të parë fytyrën e tij të gdhendur në malin Rushmore, përkrah katër presidentëve më të njohur të historisë amerikane: George Washington, Thomas Jefferson, Theodore Roosevelt dhe Abraham Lincoln.
Kjo ide nuk është e re. Trump e ka shprehur edhe gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë dhe madje vitin e kaluar disa ligjvënës republikanë propozuan një nismë ligjore për ta bërë realitet. Megjithatë, projekti konsiderohet i pamundur për shkak të kufizimeve historike dhe mjedisore. Edhe kërkesa të ngjashme për presidentët John F. Kennedy dhe Ronald Reagan janë refuzuar më parë. Së fundmi, Trump e ka rikthyer këtë ide duke shpërndarë imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale që e paraqesin atë të gdhendur në malin Rushmore.
Një lumë postimesh në rrjetet sociale
Vetëm gjatë një dite, Trump publikoi më shumë se 50 postime në rrjetin e tij Truth Social. Mes tyre ishte një foto e krijuar me inteligjencë artificiale ku ai shfaqet mbi kalë pranë George Washington-it para Shtëpisë së Bardhë, me një raketë hapësinore dhe një makinë garash në sfond. Në një tjetër imazh, ai paraqitet me uniformën e ekipit të basketbollit New York Knicks, duke bërë një ngulitje spektakolare kundër guvernatores së Nju Jorkut, Kathy Hochul. Po ashtu publikoi një foto të një bombarduesi amerikan B-2 me mbishkrimin “Trump Energy 2026”, si dhe një tjetër ku puth flamurin amerikan. Në të njëjtën kohë, vazhdoi sulmet ndaj ish-presidentit Joe Biden.
“Jam më i madh se Elvis Presley”
Trump shkaktoi reagime edhe me komentet e tij për koncertet që do të organizohen për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Duke kritikuar artistët që kanë refuzuar të marrin pjesë, ai i quajti ata “të mbipaguar dhe të padëshiruar nga publiku”. Më pas sugjeroi që koncertet të anulohen dhe të zëvendësohen me aktivitete të lëvizjes së tij politike “Make America Great Again” (MAGA). Madje ai tha se vetë do të ishte atraksioni kryesor i një eventi të tillë. “Unë jam atraksioni numër një në botë. Mbledh turma shumë më të mëdha sesa Elvis Presley në kulmin e famës së tij”, deklaroi Trump.
“Kam inteligjencë ekstreme”
Presidenti amerikan foli edhe për testet njohëse që ka kryer në qendrën mjekësore Walter Reed. Sipas tij, ai arriti rezultatin maksimal, 30 pikë nga 30 të mundshme, dhe e cilësoi këtë si provë të “inteligjencës ekstreme”. Trump propozoi gjithashtu që testet njohëse të bëhen të detyrueshme për të gjithë kandidatët për president dhe zëvendëspresident të SHBA-së. Artikulli e mbyll me një ton ironik, duke sugjeruar se, nëse do të ekzistonte një test për megalomaninë, ndoshta ai do të ishte më i përshtatshëm për t’u diskutuar.
/ Corriere della Serra
- Jep dorëheqjen Presidenti i Iranit Pezeshkian: Garda Revolucionare kontrollon vendin - 31/05/2026
- “Berisha i braktisur nga demokratët”, Salianji: Është bërë qesharak, po mban peng Shqipërinë. PD në krizë të thellë, ka humbur boshtin ideologjik - 31/05/2026
- Botërori 2026/ Debat në Uruguai pas vendimit të Bielsës, çfarë roli do të ketë Suarez? - 31/05/2026