Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme plenare për zgjedhjen e presidentit, por opozita ka refuzuar pjesëmarrjen.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar para mediave se kjo parti nuk do të marrë pjesë, pasi seanca është “shfaqje propagande e Vetëvendosjes.”
Edhe Bedri Hamza, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se kjo “çështje është e mbyllur”, ndërsa ftesa e pjesëmarrjes “veprim jo serioz.”
“Është një veprim joserioz. Ka për qëllim manipulimin, një veprim që nuk prodhon rezultat. Një veprim që vendi po shkon në zgjedhje dhe përgjegjës është Kurti”, tha Hamza.
I pyetur nëse votojnë për një kandidat nga familja Jashari, Hamza ka thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrim për ndonjë kandidat nga kjo familje, mirëpo për Vjosa Osmanin, ai nuk ka shprehur mbështetje.
“Emrat nuk kemi thënë që duhet të jenë nga PDK-ja. Po që se LDK-ja e sjell Vjosa Osmanin si kandidate për presidente, mund të zgjidhet me votat me Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, ndoshta edhe deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Hamza.
Besnik Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, thotë se seanca është vazhdim i “spektaklit publik, që fatkeqësisht po e çon vendin në zgjedhje”.
“AAK-ja s’ka qenë e ftuar për diskutime. S’kemi marrë pjesë, e rrjedhimisht s’marrim pjesë në një diskutim që prapë është një performancë publike. Kësaj radhe po shihet që është performancë publike, diskutim për të folur vetë me veten. Kurti në vend që të flasë me organe të partisë, do që platformën e Kuvendit ta kthejë në diskutim të brendshëm”, u shpreh Tahiri.
Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja e presidentit të ri ka afat deri nesër ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.