17.5 C
Tirana
21 / 04 / 2026

“Vetëm 5 sekonda për të kaluar kontrollin”, gazetari britanik “habitet” në Rinas: Në Milano ishte…

Gazetari britanik Simon Calder, në një artikull për The Independent, i kushton disa rreshta aeroportit të Tiranës, ku shpreh vlerësimin për shpejtësinë dhe efikasitetin e procedurave të kontrollit kufitar. Ai thekson se në dalje nga Shqipëria, kontrolli i pasaportës zgjat vetëm pak sekonda, duke e bërë eksperiencën shumë më të lehtë krahasuar me aeroporte të tjera evropiane.

“Në aeroportin e Tiranës fundjavën e kaluar, kontrolli i pasaportës për daljen zgjati pesë sekonda. Udhëtarët britanikë, së bashku me qytetarë të BE-së dhe disa kombësi të tjera, ftohen të përdorin portat elektronike. Mund të dalësh nga kryeqyteti shqiptar aq shpejt sa të thuash ‘Mos buzëqesh, të lutem’ (buzëqeshja, siç mund të ndodhë pas një qëndrimi në këtë vend miqësor dhe të përballueshëm, prish softuerin e njohjes së fytyrës).”, shkruan ai.

Në artikullin e tij, Calder ndalet te situata aktuale e aviacionit në Evropë, duke paralajmëruar për ndikimin që mund të kenë rritja e çmimeve të naftës dhe tensionet në Lindjen e Mesme, veçanërisht nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur.

Sipas tij, kjo mund të çojë në anulime fluturimesh dhe mungesa të karburantit për avionët, megjithëse kompanitë ajrore kryesore nuk parashikojnë probleme të menjëhershme.

Vetë gazetari tregon një përvojë personale, pasi fluturimi i tij nga Londra u anulua për shkak të kostove në rritje të karburantit. Megjithatë, ai mbetet optimist, duke theksuar se linjat ajrore mund të menaxhojnë situatën duke reduktuar numrin e fluturimeve dhe duke shmangur avionët gjysmë bosh.

Në kontrast me përvojën pozitive në Tiranë, Calder përshkruan kaosin në aeroportin Linate të Milanos, ku pasagjerët u përballën me vonesa të gjata dhe probleme në procedurat kufitare. Sipas tij, sistemi i ri i hyrje-daljes në Bashkimin Evropian dhe menaxhimi i dobët në terren kanë krijuar situata të vështira për udhëtarët, duke bërë që disa prej tyre të humbasin fluturimet.

“Ndërkohë, në aeroportin Linate të Milanos, pushuesit që ktheheshin nga udhëtimet për ski dhe vizita në qytet u përballën me vonesa të tmerrshme. Më shumë se 100 pasagjerë të rezervuar në një fluturim të easyJet për në Manchester të dielën mbetën pas. Ekuipazhi priti aq sa mundi, thotë linja ajrore, përpara se të detyroheshin të largoheshin për shkak të orarit të punës.”, shkruan Calder.

Artikulli prek edhe çështje të tjera që lidhen me udhëtimet në Evropë, si rregullat për vlefshmërinë e pasaportave. Calder sjell shembullin e autorit britanik Michael Rosen, i cili nuk u lejua të udhëtonte drejt Italisë për shkak se pasaporta e tij ishte lëshuar më shumë se 10 vjet më parë, edhe pse nuk kishte skaduar ende.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x