Kryeministri Edi Rama tha sot se banorët e dëmtuar nga zjarri i rënë në pallatin pranë QSUT-së do të trajtohen me bonus qiraje derisa të kthehen në shtëpitë e tyre, si dhe do të marrin mbështetje nga bashkia.
Duke folur në podkastin e përjavshëm “Flasim” kreu i qeverisë theksoi edhe njëherë se zjarri nuk kishte lidhje në vetvete me ndërtimin, dhe materialet e përdorura ishin të certifikuara, duke ironizuar ata që i konsideroi si “gjithologë dhe ekspertë publikë”, që japin mendime mbi cilësinë e ndërtimeve në Shqipëri.
Megjithatë Rama po ashtu u shpreh se ngjarja e fundit është një arsye më tepër për të parë dhe kuptuar siç duhet, çka lidhet me cilësinë e ndërtimit dhe me materialet e ndërtimit.
“Pati një moment që fillimisht ishte rrëqethës për shkak se flakët që përfshinë një pallat në Tiranë, u duk se mund të kërcënonin seriozisht jetët e banorëve, por për fat të mirë dhe falë punës profesionale dhe heroike të forcave zjarrfikëse gjithçka kaloi pa asnjë jetë të humbur dhe pa plagë të rënda. Ajo që mbeti ishte shkrumbimi i asaj godine, për të cilën u vumë menjëherë në lëvizje. Godina do të rindërtohet 100 për qind nga e para nga vet ndërtuesi i saj. Angazhimi për të ndihmuar banorët deri në momentin që nuk besoj që do marrë shumë kohë pasi karabinaja është aty, por deri në momentin që ata banorë do të kthehen në shtëpi, të mund të kenë një bonus qiraje dhe patjetër edhe një mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e pariparueshme që kanë ndodhur në banesat e tyre”, tha kryeministri.
“Gjithmonë në këto raste shfaqen menjëherë si kërpudha pas shiut lloj lloj gjithologësh e lloj lloj ekspertësh publikë, por pa licensat dhe pa njohuritë e nevojshme për të marrë një rol të tillë, por edhe për shkak të emocioneve dhe nevojës për të marrë protagonizëm kush nuk del e çfarë nuk thotë! E vërteta është që kjo ishte një fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri po të doni, që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin. Por nga ana tjetër kjo është një arsye për të parë dhe për të kuptuar ashtu siç duhet, edhe çka lidhet me cilësinë e ndërtimit dhe me materialet e ndërtimit, edhe pse nga vëzhgimi i parë që është bërë ishin të gjitha materialet e certifikuara dhe vinin nga importi“, vijoi kreu i qeverisë.