Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka dënuar ngjarjen e rëndë të vrasjes me armë të gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e brendshme të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit, Tiranë.
Në reagimin e saj, ministrja Koçiu e konsideron akt barbar vrasjen e gjyqtarit dhe plagosjen e dy qytetarëve të tjerë, të cilët ishin palë në procesin gjyqësor me familjen Shkambi, të autorit.
Ministrja e Brendshme ka shprehur ngushëllimet, ndërsa thekson se nga policia janë angazhuar ekspertët më të mirë për të zbardhur ngjarjen.
“Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës. Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.
Autori është ndaluar menjëherë dhe kemi angazhuar ekspertët më të mirë për të kqyrur në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga ana e punonjësve të sigurisë të gjykatës”, thotë ministrja Koçiu.
Autori Elvis Shkambi është arrestuar tashmë nga policia, si dhe është sekuestruar arma e krimit.
- Presidenti Begaj letër Gjykatës Kushtetuese: Shpallni moskompetencën për çështjen e Veliajt! Anuloni bllokimin e procesit të zgjedhjeve në Tiranë - 15/10/2025
- Ministri amerikan i Mbrojtjes, ultimatum Rusisë: SHBA do t’ju përgjigjet siç vetëm ne dimë - 15/10/2025
- Ligji, PS heq “gjininë e tretë”/ Mazhoranca kundërshton draftin e Ministrisë së Shëndetësisë: Ka vetëm burrë dhe grua - 15/10/2025