Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, pas homazheve të mbajtura në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, e cilësoi ngjarjen si një “vrasje të të gjithë sistemit të drejtësisë”.
Në deklaratën e tij për mediat, Haxhia u shpreh i indinjuar me mënyrën si institucionet po e trajtojnë këtë rast, duke kritikuar Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) për deklaratat e bëra pas ngjarjes.
Ai theksoi se duhen marrë “masa drastike” për të garantuar sigurinë në të gjitha gjykatat dhe institucionet e drejtësisë.
“Kjo nuk është vrasje e gjyqtarit, por e gjithë sistemit të drejtësisë. Nuk është puna që të bësh bojkot për bojkot, por për t’i thirrur mendjen dhe për të ngritur alarmin në çdo nivel — nga presidenti deri te avokati më i thjeshtë”, tha Haxhia.
Ai shtoi se shoqëria shqiptare është e mbushur me urrejtje, një fenomen që, sipas tij, është “vështirë për t’u çrrënjosur”.
“Këtu duhen marrë masa drastike deri në fund. Ti dalë uji i zi kësaj pune. Iku një njeri, familjar, baba, koleg dhe mik i mirë. Një njeri që, pa e tepruar, ishte më human në sistemin e drejtësisë,” vijoi ai.
Haxhia tregoi edhe bisedat me disa gjyqtarë, të cilët, sipas tij, ndihen të pasigurt dhe të braktisur pas vrasjes së kolegut të tyre.
“Takova kolegët tanë gjyqtarë dhe ata janë të lëshuar, të demoralizuar. Njëra prej tyre më tha: ‘Na kanë nxjerrë në pritë.’ Kjo është shumë e rëndë,” tha kreu i Dhomës së Avokatisë.
Po ashtu Haxhia bëri thirrje që analiza e ngjarjes të shtrihet edhe te vetë avokatët, duke theksuar rolin e tyre thelbësor në qartësimin e palëve dhe në uljen e tensioneve që mund të lindin nga vendimet gjyqësore.
“Në çdo proces gjyqësor, njëra palë do të humbasë. Por ne, si avokatë, duhet të shpjegojmë më mirë pritshmëritë e vendimeve për të shmangur reagime të dhunshme,” përfundoi ai.
- Anglia “pret” biletën për në Botëror, Hungaria i mohon kualifikimin Portugalisë. Fitojnë edhe Spanja e Italia. Serbia vuan me Andorrën (Rezultatet) - 14/10/2025
- Video/ Shqipëria dhuron spektakël me skuadrën që luan në Botëror. Bajrami, Broja dhe Hoxha bëjnë me “krahë” Sylvinhon - 14/10/2025
- Mosha është vetëm një numër, Ronaldo shënon dy herë dhe vendos rekord të ri në Kualifikueset e Botërorit - 14/10/2025