Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Zëvendës ministrin e Kulturës dhe Rinisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Shkëlqesinë e tij, Mubarak Al Nakhi, me të cilin diskutoi mbi investimet e reja në kryeqytet. Në shenjë mirënjohjeje, Veliaj i dhuroi atij edhe “Kullën e Sahatit” të Tiranës.
“Me Emiratet e Bashkuara kemi punuar në disa projekte për qytetin tonë, si Bulevardi i Ri apo Bregut i Lumit. Lumi sot është më i sigurt dhe nuk i përmbyt më familjet aty, por po kthehet edhe në një qendër të banuar, me ndërtimin e një lagjeje për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti, si dhe zhvillime të tjera private. Po ashtu, disa nga institucionet shtetërore, siç mund të jenë gjykatat apo godina e re e Bashkisë, do të zhvendosen aty. Më vjen mirë që për 100 apo më shumë vitet e ardhshme, emri i Emirateve të Bashkuara do të jetë gjithmonë i lidhur me Tiranën, prej ndihmës me Bulevardin e Ri dhe lumin e Tiranës”, tregoi Veliaj.
Kryebashkiaku tha se Bulevardi e Ri do të identifikohen në të ardhmen si një zonë zhvillimi me në fokus financë-teknologjinë.
“Më shumë se sa infrastruktura rrugore ose infrastruktura fizike, më e rëndësishme është infrastruktura njerëzore. Besoj se edhe këtu kemi çfarë të mësojmë nga Emiratet, për mënyrën si janë zhvilluar qendrat, zonat e lira ekonomike, zonat e financës dhe teknologjisë, shembuj të cilat ne duam t’i ndjekim. Zona te Bulevardi i Ri duam që të jetë një zonë kushtuar financës dhe teknologjisë”, u shpreh kreu i Bashkisë.