6.5 C
Tirana
23 / 02 / 2026

“U zgjuam në një realitet tjetër”, turistët e banorët përshkruajnë terrorin në Meksikë

Një valë e gjerë dhune ka përfshirë disa shtete të Meksikës, pasi u vra Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, lideri i kartelit të drogës Jalisco Neë Generation Cartel (CJNG) dhe një nga personat më të kërkuar në vend.

Sipas raportimeve nga terreni, grupe të armatosura i vunë flakën automjeteve dhe bllokuan rrugë në disa qytete, përfshirë resortin e njohur turistik Puerto Vallarta. Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë makina dhe autobusë të djegur, ndërsa shtëllunga të mëdha tymi ngrihen mbi zona të banuara.

“U zgjuam në një realitet tjetër”, tha një banor.

Banorë dhe turistë e kanë përshkruar situatën si “tronditëse”,

Jerry Jones, një amerikan që jeton prej katër vitesh në Puerto Vallarta, tha për BBC News se nuk kishte përjetuar kurrë një situatë të tillë.

“Shenja e parë ishte një video e një autobusi që po digjej. Pak minuta më vonë, tymi shihej në të gjithë qytetin”, tha ai.

Sipas tij, automjete u vendosën në mes të rrugëve dhe më pas u dogjën, ndërsa në një qendër tregtare lokale mbi 30 makina u shkatërruan nga flakët. Ai shtoi se për disa orë nuk pati informacion të qartë nga autoritetet dhe prania e forcave të sigurisë u vu re vetëm më vonë gjatë ditës.

Autoritetet lokale u bënë thirrje qytetarëve dhe turistëve të qëndrojnë në shtëpi. Shumica e bizneseve, shkollave dhe universiteteve u mbyllën për arsye sigurie.

“Dukej si zonë lufte”, shprehen turistët.

Marc-André, një krijues përmbajtjeje nga Kanadaja që jeton në Puerto Vallarta, tha në kanalin e tij në YouTube se qyteti “dukej si një zonë lufte”.

“Kishte zjarre kudo. Qindra makina po digjeshin në të njëjtën kohë”, u shpreh ai, duke shtuar se më pas rrugët u zbrazën plotësisht dhe atmosfera ishte e pazakontë.

Edhe turistë të tjerë kanë ndarë përvoja të ngjashme me mediat ndërkombëtare. Adryan Moorefield nga Dallas tha për CNN se situata ishte “një tronditje e plotë”, ndërsa fluturimi i tij për kthim u anulua.

Tim Spencer nga Toronto, në një prononcim për CBC News, deklaroi se pa makina dhe dyqane në flakë nga çatia e hotelit ku po qëndronte.

Anulimet e fluturimeve vijuan edhe të hënën, duke lënë dhjetëra turistë të bllokuar në Puerto Vallarta. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, tha se pritet që fluturimet të rifillojnë gradualisht gjatë ditës dhe të martën.

Ndërkohë, komuniteti lokal është mobilizuar për të ndihmuar njëri-tjetrin, duke ofruar ndihmë për turistët dhe duke kontribuar në shuarjen e disa zjarreve, ndërsa autoritetet vijojnë përpjekjet për të rikthyer rendin dhe sigurinë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x