17.6 C
Tirana
17 / 11 / 2026

Trump investoi miliona dollarë në Nvidia, zbardhen transaksionet që ngrenë pikëpyetje për konflikt interesi

Presidenti amerikan Donald Trump ka kryer investime të konsiderueshme në kompaninë teknologjike Nvidia, duke zotëruar aksione me vlerë nga 13 deri në 62 milionë dollarë deri në fund të gushtit të këtij viti.

Sipas një analize të deklarimeve financiare të Trump nga gazeta The Uashington Post, vlera e investimit është shumëfishuar krahasuar me fundin e vitit 2024, kur presidenti amerikan zotëronte aksione të Nvidia-s me vlerë nga 615 mijë deri në 1.3 milionë dollarë.

Vlera reale e investimit mund të jetë edhe më e lartë, pasi çmimi i aksioneve të kompanisë është rritur nga fundi i vitit 2025 deri në gusht 2026. Për më tepër, deklarimet financiare nuk përfshijnë ende transaksionet e dy muajve të fundit, për shkak të vonesave në raportim. Investimet kanë tërhequr vëmendjen e organizatave që monitorojnë etikën në qeveri dhe të demokratëve, të cilët kanë ngritur shqetësime për konflikt të mundshëm interesi.

Megjithatë, avokatë të specializuar në çështjet e etikës kanë theksuar se deri tani nuk ka prova që Trump ka shkelur ligjet për konfliktin e interesit.

Në një reagim për The Uashington Post, Shtëpia e Bardhë deklaroi se presidenti nuk përzgjedh dhe as nuk tregton vetë aksione individuale, duke pretenduar se portofoli i tij menaxhohet nga administratorë financiarë të pavarur. Çështja merr vëmendje edhe për shkak të zhvillimeve të fundit rreth Nvidia-s.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Jensen Huang, dha dorëheqjen javën e kaluar, pasi pranoi se kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me një drejtuese të kompanisë Megaspeed, një klient i Nvidia-s me seli në Singapor. Autoritetet amerikane dyshojnë se gruaja mund të ketë spiunuar për Kinën, ndërsa Departamenti i Tregtisë kishte nisur një hetim për të verifikuar nëse Megaspeed kishte shkelur kufizimet amerikane për eksportet.

Në qershor, senatorja demokrate Elizabeth Uarren i kërkoi sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, të sqaronte nëse Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (SEC) duhej të hetonte blerjen e aksioneve të Nvidia-s nga Trump më 6 janar. Bëhej fjalë për një investim deri në 1 milion dollarë, të kryer vetëm një javë përpara se Departamenti i Tregtisë të zyrtarizonte lehtësimin e kufizimeve të eksportit që preknin kompaninë.

Kjo ka shtuar pikëpyetjet mbi kohën e investimit dhe mundësinë e përfitimit nga vendimet e administratës amerikane, megjithëse deri tani nuk është paraqitur ndonjë provë për shkelje ligjore.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x