14.5 C
Tirana
05 / 11 / 2025

Skënderbeu fitues i “Kupës Pavarësia 2022”/ Ekipi i volejbollit për femra ngre trofeun e turneut vëllazëror

Skënderbeu në volejboll për femra e ka filluar më së miri sezonin e ri, duke fituar “Kupën Pavarësia 2022”, kupë të cilën e ka bërë të vetën pasi ka mundur në ndeshjen finale Partizanin, skuadër e cila vetëm pak ditë më parë e kishte mundur në kampionat.

Takimi ka qënë i bukur në të katërt setet e luajtura, kjo edhe për shkak të rivalitetit të madh mes dy ekipeve.

Seti i parë është fituar nga Partizani me rezultatin 25-23, ndërkohë që lojtaret e kësaj skuadre kanë filluar mirë edhe setin e dytë, aq sa u krijua përshtypja se edhe ky set do të shkonte për to, por lojtaret e Skënderbeut në pikët e fundit të setit kanë kthyer gjithçka, duke e fituar me rezultatin 24-26.

Edhe në setin e tretë rivaliteti ka qënë i pranishëm deri në pikët e fundit por pikërisht këtu falë qetësisë dhe sigurisë në fazën sulmuese Skënderbeu ka fituar 23-25. Seti i katërt dhe i fundit i ndeshjes është dominuar plotësisht nga volejbollistet e trajnerit Orlando Koja, duke e mbyllur këtë set 18-25 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 1-3.

Ky është aktiviteti i parë zyrtar i Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe kjo është kupa e parë e Skënderbeut për këtë sezon, por korçaret e rrjetës kërkojnë edhe kupën e Shqipërisë dhe shumë më tepër titullin kampion.

Gjatë kësaj finaleje Federata Shqiptare e Volejbollit, ka nderuar tre prej volejbollisteve më të njohura të Skënderbeut. Bëhet fjalë për Prenda Smajlaj, Bruna Tasho e Tatjana Marash, lojtare këto që së bashku me volejbollistet e tjera kanë bërë historinë e volejbollit korçar dhe atij shqiptar.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x