Autoritetet meksikane e gjurmuan dhe e vranë “El Mencho”, një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në botë, duke gjurmuar të dashurën e tij deri në momentin që ajo mbërriti në strehën e tij të sigurt pranë një qyteti piktoresk malor, bëri të ditur Sekretari i Mbrojtjes i vendit.
Gjatënjë konference për shtyp, zyrtarët dhanë detajet e para mbi operacionin që çoi në vdekjen e liderit të grupit më të fuqishëm të krimit të organizuar në Meksikë, Kartelit Jalisco New Generation (CJNG).
Ndërkohë, bastisja e së dielës shkaktoi një valë dhe hakmarrëse nga anëtarë të armatosur të kartelit, eduke paralizuar zona të tëra të Meksikës perëndimore.
Lideri 59-vjeçar i kartelit, emri i vërtetë i të cilit ishte Nemesio Rubén Oseguera Cervantes, u plagos për vdekje ndërsa ushtria meksikane përpiqej ta kapte gjatë një operacion, të mbështetur nga inteligjenca e Uashingtonit. SHBA-ja prej disa kohësh ka ushtruar presion ndaj fqinjit të saj jugor për të ndërmarrë veprime më agresive kundër grupeve që trafikojnë fentanil, metamfetaminë dhe kokainë.
Sekretari i Mbrojtjes, Ricardo Trevilla Trejo, tha se truprojat e El Menchos hapën zjarr ndaj ushtrisë ndërsa ajo rrethonte kabinën në një zonë pyjore jashtë qytetit Tapalpa, rreth 130 kilometra në jugperëndim të Guadalajara-s.
Të shtënat detyruan një helikopter të bënte ulje emergjente – duke rikujtuar një përpjekje të dështuar në vitin 2015 për ta kapur El Menchon, kur njerëzit e tij rrëzuan një helikopter me granatëhedhës.
Përplasjet vazhduan ndërsa El Mencho u largua nga kabina drejt një pylli aty pranë, ku u plagos dhe u kap. Ai vdiq gjatë transportimit për trajtim mjekësor në Mexico City.
Përveç El Menchos, shtatë nga njerëzit e tij u vranë në shkëmbimin e zjarrit, ndërsa dy ushtarë u plagosën. U sekuestruan pushkë dhe granatëhedhës.
Operacioni shkaktoi menjëherë një valë dhune në mbarë Meksikën, me persona të armatosur të kartelit që bllokuan pothuajse 100 rrugë kryesore, dogjën automjete dhe sulmuan forcat e sigurisë, veçanërisht në shtetet Jalisco dhe Michoacán.
Ministri i Sigurisë, Omar García Harfuch, tha se 25 anëtarë të gardës kombëtare u vranë dhe 14 u plagosën në këto përplasje, së bashku me 34 persona të armatosur dhe një kalimtar të rastësishëm. 70 persona të tjerë u arrestuan në të gjithë vendin.
Trevilla konfirmoi se Hugo César Macías Ureña, i njohur si “El Tuli”, një aleat i ngushtë i El Menchos që koordinoi valën e dhunës pas vdekjes së tij – madje duke ofruar shpërblim për çdo ushtar të vrarë – u vra gjithashtu në një përballje.
Deri të hënën, autoritetet raportuan se kishin hequr të gjitha bllokadat në mbarë vendin. “Meksika është në paqe, e qetë, dhe ne po punojmë në të gjitha shtetet,” tha presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum.
Megjithatë, pati ende raportime për automjete të djegura në Michoacán dhe shkollat mbetën të mbyllura në shumë shtete si masë paraprake. Disa linja ajrore nuk kishin rifilluar ende shërbimin normal drejt qyteteve Guadalajara dhe Puerto Vallarta, të dyja në Jalisco, që përjetuan pjesën më të madhe të hakmarrjes së kartelit.
Stephen Woodman, analist sigurie në Guadalajara, tha se dhuna “shpërtheu pothuajse menjëherë” sapo u përhap lajmi për operacionin të dielën në mëngjes. “Këto grupe kanë plane të gatshme për t’u koordinuar shpejt në rast të një arrestimi madhor, për të shkaktuar sa më shumë trazira,” tha ai. “Ishte përmbytëse me raportime nga të gjitha anët.”
Ndjenja e panikut u përkeqësua nga sasia e dezinformatave, përfshirë foto dhe pamje të gjeneruara nga AI, që qarkullonin në rrjetet sociale. “Duhej të dyshoje për gjithçka,” shtoi ai.
Ndërsa kaosi përhapej, guvernatori i Jalisco-s, Pablo Lemus Navarro, u bëri thirrje 8 milionë qytetarëve të shtetit të qëndronin në shtëpi dhe pezulloi transportin publik.
Pamje të tjera video tregonin turistë në plazh ndërsa re të mëdha tymi ngriheshin mbi Puerto Vallarta, një qytet turistik i njohur për plazhet e tij në Paqësor. Shumica e fluturimeve drejt qytetit u pezulluan dhe linjat ajrore ndërkombëtare anuluan dhjetëra udhëtime.
Autoritetet lokale lëshuan njoftime publike për të qëndruar brenda, ndërsa edhe Ambasada e SHBA-së në Mexico City lëshoi alarm sigurie duke u kërkuar qytetarëve të “strehohen në vend” në zonat e prekura.
Uashingtoni kishte ofruar një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për kapjen e tij dhe Shtëpia e Bardhë konfirmoi se SHBA-ja kishte dhënë mbështetje inteligjente për operacionin. Zyrtarë të lartë amerikanë e përshëndetën vrasjen, e cila pasoi muaj presioni nga Donald Trump mbi fluksin e drogës dhe migrantëve përgjatë kufirit 3,145 kilometra mes dy vendeve. Administrata Trump e ka shpallur kartelin Jalisco si “organizatë terroriste të huaj”.
Megjithëse vrasja mund të lehtësojë presionin ndaj presidentes meksikane nga Trump, ajo gjithashtu krijon një vakum pushteti brenda kartelit. Ekspertët paralajmërojnë se nëse organizata shpërbëhet, disa komandantë të mesëm me fuqi dhe armatim të konsiderueshëm mund të krijojnë fraksione rivale, duke e zhytur Meksikën në nivele edhe më të larta dhune.
Disa burime përmendin njerkun e El Menchos, Juan Carlos, si pasardhës të mundshëm. Megjithatë, ekspertët theksojnë se mbajtja e kartelit të bashkuar nuk është aspak e garantuar.