17.5 C
Tirana
16 / 11 / 2026

Shuhet etnografi prof. dr. Ramazan H. Bogdani

Studiuesi i shquar i etnografisë dhe etnokoreologjisë, prof. dr. Ramazan H. Bogdani u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare.

Prof. dr. Ramazan H. Bogdani, “Mjeshtër i Madh”, dha një kontribut të çmuar në studimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore jo materiale shqiptare ne fushën e valleve dhe të vallëzimit popullor.

Prof. dr. Ramazan H. Bogdani lindi në Tiranë në vitin 1933. Ai kreu studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” (1948–1952), vijoi më pas në Institutin Pedagogjik dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani” dhe përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku u diplomua në degën e Etnografisë.

Nga viti 1950 deri në vitin 1967 punoi si valltar solist dhe koreograf në Filarmoninë Shqiptare dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e artit skenik shqiptar.

Në vitin 1967 nisi punën si punonjës shkencor në Institutin e Folklorit dhe më pas në Institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Veprimtaria e tij shkencore në këto institucione vijoi deri në daljen në pension. Gjatë kësaj periudhe ai iu kushtua kërkimit shkencor, mbledhjes, dokumentimit dhe studimit të traditave muzikore e koreografike shqiptare.

Trashëgimia e tij shkencore dhe botuese është e pasur dhe përbën një kontribut të rëndësishëm për etnokoreologjinë shqiptare. Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Vallet e Lunxhërisë” (1995), “Gjurmime koreografike” (1995), “Vallëzimi popullor shqiptar: lirika” (1997), “Visare etnokoreografike: fshatrat e Tiranës” (2003), “Etnokoreografi kosovare hasjane” (2005) dhe “Etnokoreografi” (2008) etj.

Akademia e Shkencave u shpreh se, përkushtimi, puna kërkimore dhe kontributi i tij shumëvjeçar në dokumentimin dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore shqiptare do të mbeten një vlerë e çmuar për studiuesit, artistët dhe brezat e ardhshëm. A.K./TemA

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x