Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja kanë hyrë në një terren të panjohur, ndërsa dy aleatë dhe partnerë ekonomikë prej dekadash po përballen me një luftë tregtare në përshkallëzim.
Për kryeministrin kanadez Mark Carney, vendimi për të ndërprerë negociatat me presidentin amerikan Donald Trump dhe për t’iu përgjigjur me kundërtarifa presionit të Uashingtonit përbën një test të rëndësishëm politik, shkruan BBC.
Carney është ndër liderët e parë botërorë që largohet nga tryeza e negociatave me Shtëpinë e Bardhë, në një moment kur një marrëveshje tregtare dukej pranë arritjes. Të dyja palët kanë fajësuar ndryshimet e minutës së fundit për dështimin e marrëveshjes së mundshme.
Vendimi i kryeministrit kanadez do të testojë gjithashtu gatishmërinë e qytetarëve për të përballuar pasojat ekonomike të përplasjes me administratën Trump. Pas refuzimit të presionit amerikan dhe vendimit për t’iu kundërpërgjigjur tarifave të reja, Carney duhet të bindë kanadezët se kostot e përballjes ia vlejnë nëse qëllimi është arritja e një marrëveshjeje më të favorshme në të ardhmen.
Përplasja pritet të shkaktojë pasoja në të dyja anët e kufirit. Bizneset amerikane dhe kanadeze po përballen me presionin e tarifave dhe kundërtarifave.
Rreth 70% e eksporteve kanadeze shkojnë drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa Kanadaja është partneri kryesor tregtar për disa shtete amerikane, veçanërisht Michiganin, Kentakin, Indianën dhe Ohajon.
Përplasja tregtare ka ndikuar edhe te udhëtimet dhe konsumi. Të irrituar nga tarifat amerikane, shumë kanadezë kanë shmangur udhëtimet drejt SHBA-së. Ky bojkot i ka kushtuar ekonomisë amerikane rreth 3.3 miliardë dollarë kanadezë të ardhura nga turizmi gjatë vitit të kaluar.
Ndërkohë, vendimi i shumicës së provincave kanadeze për të hequr produktet amerikane të alkoolit nga raftet e dyqaneve ka goditur eksportet amerikane.
Sipas të dhënave të tregtisë së qeverisë amerikane, eksportet e verës amerikane drejt Kanadasë kanë rënë me 78% krahasuar me një vit më parë, duke shkaktuar një humbje prej rreth 357 milionë dollarësh në vlerën e eksporteve.
Edhe industria amerikane e distilimit ka raportuar rënie të forta, duke deklaruar se kufizimet provinciale kanë shkaktuar një ulje prej më shumë se 70% të eksporteve të pijeve alkoolike amerikane drejt Kanadasë.
- Ditëlindja e Madonna në Korfuz “përplas” politikën greke/ Sulmi i deputetes: Nuk jemi plantacion. Ministri: Na solli reklamë miliona euroshe - 22/08/2026
- Arjani dhe arnat-at e rrjetit - 22/08/2026
- Macron i del në krah Zelenskyt, Franca do t’i dërgojë Ukrainës raketa të reja interceptuese pas sulmit rus - 22/08/2026