Gjatë natës në të gjithë qarkun e Korçës ka patur reshje dëbore, trashësia e së cilës varion nga 5-25 cm.
firmat kontraktore kanë mirëmbajtur akset kryesore kombëtare dhe ato turistike duke i pastruar dhe kriposur. Për rrjedhojë të gjitha akset janë të kalueshme dhe pa probleme.
Në segmentin Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë dhe Qafa e Qarrit-Ersekë-Leskovik rekomandohet përdorimi i pajisjeve dimërore nga drejtuesit e automjeteve.
Strukturat e emergjencave civile në bashki deri tani nuk raportojnë problematika, rrugët dytësore dhe ato lidhëse nëpër bashki janë të kalueshme.
Nga strukturat e bashkisë Korçë, vazhdon puna për pastrimin e rrugëve dytësore në Njësinë Administrative Voskopojë dhe Vithkuq si dhe të rrugëve e shesheve në qytet.
Reshjet e dëborës shoqëruara me erë, kanë sjellë probleme përsa i përket energjisë elektrike në disa fshatra të zonave malore të juglindjes së vendit.
Zyrtarisht nga ana e OSHEE-së bëhet e ditur se për shkak të reshjeve të dëborës, probleme me energjinë elektrike ka pasur në disa fshatra të njësive administrative Mollas e Leskovik të bashkisë së Kolonjës, si dhe në disa fshatra të njësisë administrative Vithkuq të Korçës.
Shkëputje të herëpashershme të energjisë elektrike gjatë orëve të fundit për shkak të motit të keq, ka pasur edhe në fshatra të tjerë të njësive administrative Gorë e Moglicë në bashkinë e Maliqit si dhe në fshatrat e njësive administrative Lekas dhe Vithkuq në bashkinë e Korçës.
Grupet e OSHEE-së janë duke punuar për të rikthyer energjinë elektrike në fshatrat e bashkisë së Kolonjës.
