Është zhvilluar sot në GJKKO seanca për ish-ministrin Ilir Beqaj.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha sjell detaje nga kjo seance, ku Beqaj u shpreh se nuk është njohur me akuzën e ndryshuar as me shkrim, as me gojë.
“Unë nuk jam njohur me akuzën e ndryshuar as me shkrim, as me gojë. Gjatë seancave të para unë kuptova që procesverbal ishte audio e seancës. Unë kërkoj që ky audioregjistrim të dëgjohet në sallë. Aty asnjë nga prokurorët nuk e ka shqiptuar me gojë akuzën e ndryshuar.
Mua ma garanton kushtetuta dhe konventa të vihem në dijeni hollësisht për akuzën që i është ngritur. Kodi nuk e përcakton që akuza bëhet me shkrim, por nuk përcakton as që bëhet me gojë. Nëse njoftimi i akuzës bëhet me shkrim, si mund të ndryshohet me gojë”, tha ai.
Ndërkohë avokati i Beqajt ndër të tjera u shpreh se ende nuk u është vënë në dispozicion aktakuza e korrigjuar e SPAK, çka sjell sipas tij pengim për të bërë mbrojtje efektive.
“Deri më sot, ne ende nuk na është vënë në dispozicion akuza e korrigjuar nga SPAK, nga momenti që GJKKO ftoi prokurorët të bëjnë korrigjime dhe saktësime. Në procesin tjetër, prokurorët thanë se akuza e saktësuar është procesverbali i seancës kur gjykata kërkoi saktësim.
Në këtë gjykim ne kemi mësuar se procesverbal është audio i seancës. Ne e kemi dëgjuar audion e asaj seancë. Në audio nuk i është lexuar ndonjë akuzë z. Beqaj dhe as Beqaj nuk ka thënë që e dëgjoi akuzën.
Kjo situatë na pengon të bëjmë mbrojtje efektive. Ne nuk kemi në dorë akuzën e korrigjuar dhe të saktësuar.
I lutem gjykatës të na verë në dispozicion akuzën e korrigjuar dhe saktësuar të SPAK, pasi gjyqtari paraprak i kërkoi SPAK të korrigjojë dhe saktësojë.
Tani, ose do biem dakord që akuzën ta kemi me shkrim, ose do biem dakord që akuza korrigjohet dhe saktësohet me gojë. Nëse gjykata më thotë se akuza është njoftuar me gojë, unë do të kërkoj pavlefshmëri absolute të aktit.
Nëse më rrëzohet edhe kjo kërkesë unë do të kërkoj kontroll incidental. Unë nuk mund të bëj mbrojtje efektive dhe të bëj kërkime paraprake, pa ditur akuzën”, tha avokati.
- Pas lajmeve për sulm në “Ashraf 3” në Manzë, reagon zëdhënësi i kampit: Irani s’ka kapacitet teknik për të goditur Shqipërinë, është propagandë për luftë psikologjike - 03/03/2026
- Seanca në GJKKO për dosjen ‘Sterilizimi’, ish-ministri Beqaj kërkon të njihet me akuzën: Dua që audioregjistrim të dëgjohet në sallë - 03/03/2026
- Lufta në Lindjen e Mesme/ SHBA mbyll ambasadat në Arabinë Saudite dhe Kuvajt, zvogëlon praninë konsullore në disa vende të tjera të rajonit - 03/03/2026