16.5 C
Tirana
06 / 11 / 2025

“S’e dija që ishte Luvri”/ Historia e pabesueshme e grabitësit, një fenomen në rrjetet sociale

Një nga grabitësit e muzeut të Luvrit mendohet të jetë “Doudou Cross Bitume” ose “Legjenda e Motoçikletës”, siç njihet 39-vjeçari Niakate Abdoulaye në periferitë veriore të Parisit. Në fund të viteve 2000, ai nisi të postonte video të manovrave me motoçikletë në Youtube, Dailymotion dhe më vonë në TikTok.

Gazeta Le Parisien nënvizon se në videot që qarkullojnë ende pas 16 vitesh dhe janë parë nga thuajse 700 mijë njerëz, ai shihet duke bërë manovra në lagjen Aubervilliers ku është lindur e rritur, në Champs-Élysées dhe në Place du Trocadéro në Paris.

Në videot e fundit, Doudou shihet duke ngritur pesha në palestër ose duke këshilluar më të rinjtë lidhur me motoçikletat. Por fama e tij tashmë e përhapur në të gjithë botën, lidhet me faktin se Niakate Abdoulaye, me prejardhje nga Mali, mendohet të jetë një nga dy burrat që hynë në Galerinë Apollo për të vjedhur bizhuteritë e Napoleonit. Një grabitje sensacionale e së dielës në mëngjes, kur muzeu ishte i hapur dhe plaçka prej 88 milionë eurosh nuk është gjetur ende nga autoritetet ligjzbatuese.

Pak ditë pas arrestimit, Doudou pranoi pjesërisht faktet duke thënë se kishte vepruar në bashkëpunim me algjerian 34-vjeçar Ayed Ghelamallah, gjithashtu i arrestuar. Niakate Abdoulaye dhe Ayed Ghelamallah janë dy të arrestuarit e parë në hetimin e grabitjes së Luvrit. Doudou u arrestua në Aubervilliers, kurse Ghelamallah në aeroportin Roissy-Charles de Gaulle ku po përpiqej të arrinte fluturimin e fundit për në Algjeri.

Profili i të dyve është larg nga gjenialiteti kriminal, edhe pse kanë bërë një grabitje që pati jehonë në të gjithë botën. Gjatë marrjeve në pyetje, ata thanë se nuk e kishin menduar që kishin hyrë në Luvër, pasi ishin të bindur që Luvri ishte vetëm pranë piramidës (ndërtesa në hyrje) dhe që nuk do të gjenin vizitorë pasi ishte e diel dhe hamendësuan që muzetë ishin mbyllur.

Niakate Abdoulaye është i njohur për policinë pariziene pasi numëron 15 vepra penale. Vepra e tij më e rëndë, para Luvrit, ishte 31 maji 2014 kur vodhi një argjendari në Barbès duke përdorur armë të rreme dhe më pas ia mbathi me motoçikletë on Yamaha T-Max. Për atë grabitje, ai bashkëpunoi me Slimane K., 37 vjeç, i cili mendohet të jetë anëtari i tretë i vjedhjes në Luvër. Slimane dhe një i katërt, ende i panjohur, pritën jashtë muzeut për Niakate dhe Ayed, para se t’ia mbathnin.

Slimane K., u arrestua më 29 tetor, bashkë me shokun e tij pa precedentë penalë.

Niakate Abdoulaye është djali i një babai që u kthye në Mali pas daljes në pension dhe kishte 23 fëmijë me tri gra. Tani akuzohet edhë për një tjetër krim: dëmtimin e komisariatit të policisë në Aulnay, ku ai u arrestua në 2019. Ndërkohë, videot e tij po korrin sukses.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x