Nga Ylli Manjani
Në fakt, Erjon Bani nuk ka bërë ndonjë shpikje me rregulloren e re. Ka shkruar në letër, pak a shumë, atë që ndodh sot e gjithë ditën në GJKKO.
Gazetarët nuk lejohen të filmojnë brenda sallës së gjyqit dhe as të komunikojnë me jashtë gjatë seancës. Janë vendosur në të njëjtin regjim me dëgjuesit e thjeshtë, të cilët, duhet thënë, janë shumë të paktë në numër.
Pra, rregullorja rregullon mënyrën se si është sot gjykimi. Por nuk i përgjigjet pyetjes themelore: a janë vërtet gjyqet të hapura për publikun?
Sepse ka disa gjëra për të cilat kjo rregullore nuk thotë asgjë. Besoj se ka detyrë e as mundësi ta thotë.
Së pari, nuk thotë asgjë për gjyqet e mbyllura në dhomën e këshillimit, ku mund të merret një vendim për lirinë, pasurinë apo privatësinë e një njeriu pa u pyetur ai, ndonjëherë, as edhe një herë të vetme. Aty nuk kemi thjesht një problem me praninë e gazetarëve. Kemi një problem me vetë konceptin e procesit të hapur dhe kontradiktor.
Së dyti, nuk thotë asgjë për kafazet e blinduara, të përdorura në mënyrë të pakuptimtë dhe, në jo pak raste, në një formë që prek dinjitetin e të pandehurit dhe e vështirëson faktikisht komunikimin e tij me mbrojtjen. Debat i pazgjidhur ky sot e gjithë ditën.
Së treti, nuk thotë asgjë për rastet kur vendimmarrja gjyqësore duket sikur i nënshtrohet organizimit të Policisë së Burgjeve dhe jo autoritetit të gjyqtarit, i cili duhet të jetë zot në sallën e gjyqit. Siguria është e domosdoshme, por ajo nuk mund të kthehet në administrim të drejtësisë nga struktura që kanë detyrë vetëm ta garantojnë atë.
Së katërti, nuk zgjidh problemin e së drejtës së publikut për t’u informuar besnikërisht për atë që thuhet në sallën e gjyqit nga të dyja palët. Publiku ka të drejtë të dëgjojë jo vetëm versionin e akuzës, që shpesh serviret si lajm i spin-uar, por edhe versionin e mbrojtjes.
Së pesti, nuk merret me një fenomen edhe më shqetësues: nxjerrjen e materialeve hetimore dhe gjyqësore jashtë kontekstit penal, për t’i përdorur më pas për të ndërtuar një gjyq popullor jashtë sallës së gjyqit.
Kjo është paradoksale.
Rregullorja thjesht shkruan në letër atë që sot ndodh, nën arsyen e sigurisë në sallën e gjyqit.
Por siguria në sallat e GJKKO-së është, në përgjithësi, shumë e mirë. Dhe nuk është se kemi parë ndonjë epidemi incidentesh që të justifikojë mbylljen e procesit ndaj publikut.
Problemi real ka qenë dhe mbetet tjetër:
Si t’i bëjmë të mundur publikut të informohet për të vërtetën e asaj që ndodh në gjykatë?
Këtu rregullorja hesht.
Dhe nuk mund të thotë më shumë, sepse këtë problem nuk e zgjidh një rregullore administrative.
Mund ta zgjidhë teknologjia.
Për shembull, vendosja e kamerave zyrtare në sallat e gjyqit, me transmetim të kontrolluar në internet, do të ishte një ndryshim shumë më i madh se kjo rregullore. Do të zgjidhte njëkohësisht dy probleme: sigurinë dhe transparencën.
Do të kishte më pak nevojë për praninë fizike të dhjetëra njerëzve në sallë dhe, në të njëjtën kohë, shumë më tepër mundësi që publiku të ndiqte drejtpërdrejt atë që ndodh.
Sepse principi i gjyqit të hapur nuk bazohet te nevoja e publikut për të parë fotografi të fundshpinave dëshmitarëve VIP, as tek video VIP-eshave që ngjajnë si në pasarela
mode para gjykatës, as nga pamje të kapura fshehurazi nga gazetarët në përpjekje për të bërë një lajm.
Gjyqi i hapur bazohet te nevoja e publikut për të njohur të vërtetën e njerëzve që vendosen ligjërisht nën betim dhe për të dëgjuar atë që pretendohet e kundërshtohet në sallën e gjyqit.
Jo të vërtetat e sugjeruara fshehtas për persona nën hetim.
E drejta penale është pjesë e së drejtës publike. Për këtë arsye ajo kërkon, minimalisht, vëmendjen e interesit publik. Edhe palët në procesin penal ushtrojnë funksionet e tyre në një mjedis që gjithmonë është publik.
Prandaj, sa më shumë që procesi largohet nga vëmendja e publikut, aq më shumë rrezikon të marrë pamjen e një çështjeje private. Nuk mund të ngjajë drejtësia penale si e drejtë cubash.
Natyrisht, ka raste të veçanta ku kufizimi i publicitetit është i domosdoshëm. Dëshmia e një të mituri, çështjet me natyrë intime apo rrethana të tjera të ngjajshme që mund të kërkojnë mbrojtje të veçantë.
Por këto janë përjashtime.
Baza e gjykimit në sallën e gjyqit është hapja ndaj interesit publik.
Ndërsa ajo që po ndodh sot është paksa groteske: gazetarët nuk mund të filmojnë atë që ndodh në sallën e gjyqit, por përpiqen të gjejnë një fotografi të bërë fshehurazi, një video të shkrepur në korridor, një pamje të një dëshmitari apo të një të pandehuri jashtë sallës.
Kjo nuk është informim.
Dhe aq më pak është gjyq i hapur.
Rregullorja Bani, pra, nuk i hap gjyqet. Ajo thjesht rihap debatin për gjyqet e pahapura dhe, bashkë me të, edhe debatin për gjyqet popullore që zhvillohen jashtë sallës së gjyqit.
Këtë nuk mund ta zgjidhë Erjon Bani. Nuk mund ta zgjidhë as KLGJ-ja.
Këtë duhet ta zgjidhë Parlamenti i Republikës me një ligj të ri.
Një ligj që, para së gjithash, të vendosë qartë parimin e hapjes së gjykimit në sallën e gjyqit, duke përcaktuar edhe mënyrën moderne të informimit të publikut për atë që ndodh aty.
Sepse drejtësia nuk mund të katandiset në një portal, në një podcast apo në një faqe pa identitet në rrjetet sociale, ku publiku merr copëza të procesit nga burime që askush nuk i kontrollon.
Gjykata duhet të jetë burimi i parë, i drejtpërdrejtë dhe i besueshëm i asaj që ndodh në gjykatë.
Përndryshe, kemi gjithçka tjetër: lajme, versione, rrjedhje, video, komente, gjyqe popullore.
Vetëm gjyqin e hapur nuk e kemi.