22.5 C
Tirana
16 / 09 / 2024

Requiem për Alen Delon dhe shembujt e mirë

Nga Ledio Alite

Lajmi i trishtë i ndarjes nga jeta të aktorit me famë botërore Alen Delon nuk është vetëm lajm i trishtë për ndarjen nga jeta të një njeriu. 

Ky njeri, i cili kishte të preferuar fjalën “nder”, urrente fjalën “virtuale”, e që adhurohej nga e gjithë shoqëria, kishte si drogë të preferuar, dashurinë. Kur e pyetën se çfarë do t’i kërkonte Zotit ditën që nuk do të jetonte më, ai me fisnikëri u përgjigj se do të donte vetëm që Zoti t’i thoshte: “Eja të shohësh përsëri nënën dhe babain tënd së bashku”. Një dëshirë e tillë, mësim i thellë e i përmbledhur për të gjithë.

Alen Delon u ngrit në piedestalin e modelit të burrit për kohën që jetoi, një kohe që prodhonte shembuj të mirë për shoqërinë. Edhe në Shqipëri, brezi i kohës kur donte të identifikonte një burrë të pashëm historikisht ka përdorur shprehjen “si Alen Delon”. Një shembull të adhuruar jo për pasurinë e tij, as për famën, po thjesht njeriun që ishte në karakter dhe pamje. Po sot, kush i ka zënë vendin Alen Delon?

Diku lexova se kishin shkruar: “një tjetër legjendë ikën”. Duket sikur shoqëria jonë vetëm sa po pret që të largohen legjendat e vlerave, shembujt e ecjes përpara. Një shoqëri shterpë për të riprodhuar modele të sinqerta, pa u kthyer ne biznes, konsum, etj. Siç shkruante Kadare, në ç’gjumë kemi rënë kaq thellë, që dot s’po zgjohemi ne vallë?

Pyetja se kush i ka zënë vendin Alen Delon u drejtohet parimisht vajzave, përgjegjëseve të standartit të meshkujve, pasi dhe Delon dikur ishte produkt parimisht i këtij opinioni, duke u ndjekur më pas si shembull nga burrat për vlerat që i transmetonte gjinisë së kundërt. Duket sikur ka një hendek të madh midis modelit të sotëm dhe atij të dikurshëm që aktori i njohur por dhe të tjerë pas tij të mëvonshëm përfaqësonin. Varfëria shpirtërore ka arritur deri aty sa për shkak të nevojës së madhe për konsum, mitizohen parimisht djem që jo vetëm nuk kanë cilësitë e modelit të Alen Delon, por në fakt nuk ka rëndësi fare çfarë cilësish kanë, mjafton të jenë të pajisur me aksesorët e nevojshëm për konsum, frizurat standard, dhe më e rëndësishmja, sigurinë për vijueshmërinë e këtij konsumi. 

Ndoshta, diferenca ekonomike midis dy kohëve ka sjellë një hendek të tillë, dhe paragjykimet shpesh janë të shpejtuara pasi ata që prodhojnë shembuj ndoshta janë dhe viktima të kohës. Koha e Alen Delon, nuk kishte kaq shumë letra me vlerë të konsumueshme që ne i quajmë para, dhe njerëzit konsumonin kryesisht vetëm kohën me njeri-tjetrin. Në kohën tonë, njerëzit janë shumë të zënë për të gjetur se ku do të konsumojnë letrën (paranë), duke harruar se paranë nuk e krijoi Zoti, por robi. Diferenca midis dy kohëve, lidhet gjithmonë me trendin e konsumit, pra dhe modelet që dalin në pah janë në varësi të interesit konsumator të shoqërisë. 

Prandaj dhe sot thuhet: “iku dhe një tjetër legjendë”, sepse shembujt e sotëm nuk perceptohen kurrë si legjenda të ardhshme pasi të mos ekzistojnë më, për faktin e vetëm se piedestali u është krijuar nga aksesorët e konsumit dhe jo nga thelbi i natyrshëm i të qenurit njeri. 

Duke e mbyllur këtë requiem për të gjithë shembujt e mirë që po vdesin dita ditës, kujtoj një shprehje të Kadri Roshit për t’u mbajtur në mend nga ne të gjithë: “Njeriu, ka nevojë për njeriun”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x