Kryetari i qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për të adresuar krizën e shkaktuar nga fluksi i migrantëve.
Më shumë 17.000 persona kanë arritur në këtë qytet nga kufiri jugor prej muajit prill.
Shtetet republikane sikurse Teksasi, Arizona dhe Florida janë duke dërguar migrantë në zonat demokratike në muajt e fundit.
Sipas tyre, këto masa janë të hartuara për të rritur presionin ndaj administratës së presidentit amerikan, Joe Biden për të bërë më shumë që të zvogëlohet numri i migrantëve që kalojnë kufirin jugor, pasi tani shifrat janë rekorde.
Kjo masë është pjesë e përplasjeve me Shtëpinë e Bardhë, teksa një numër i pashembullt i njerëzve arrijnë në kufirin SHBA – Meksikë.