34.8 C
Tirana
29 / 06 / 2026

Putin pret rifillimin e bisedimeve me SHBA për Ukrainën/ Kremlini: Dialogu varet nga ulja e tensioneve në Iran

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Moska po pret mbërritjen e negociatorëve amerikanë për rifillimin e bisedimeve mbi luftën në Ukrainë, duke sinjalizuar një mundësi të re për dialog mes dy fuqive, ndërsa vëmendja e Uashingtonit është e përqendruar edhe në zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Në një intervistë të publikuar nga Kremlini, Putin tha se palët po presin që të përfundojnë “ngjarjet aktuale” dhe faza e tensioneve të lidhura me dosjen iraniane, përpara se përfaqësuesit amerikanë të mbërrijnë në Moskë për bisedime të mëtejshme.

“Ne presim, sapo të mbarojnë të gjitha ngjarjet, pasi të mbarojë faza e nxehtë në lidhje me dosjen iraniane, mbërritjen e përfaqësuesve të qeverisë amerikane me të cilët jemi takuar tashmë në Moskë”, u shpreh Putin.

Ai theksoi gjithashtu se Rusia mbetet e hapur për negociata të detajuara mbi konfliktin në Ukrainë, duke shtuar se Moska është e gatshme të vijojë diskutimet “mbi të gjitha çështjet dhe detajet”.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur marrëdhëniet ndërkombëtare janë të tensionuara dhe kur SHBA-ja, sipas Kremlinit, është e përfshirë në disa fronte diplomatike njëkohësisht. Putin ka sugjeruar më herët se fokusi amerikan në krizën me Iranin ka ndikuar në ritmin e angazhimit për luftën në Ukrainë.

Në të njëjtën linjë, edhe ish-presidenti amerikan Donald Trump gjatë samitit të G7 në Francë deklaroi se Rusia duhet të arrijë një marrëveshje me Ukrainën për t’i dhënë fund luftës që nisi në shkurt të vitit 2022, duke paralajmëruar se në të kundërt Uashingtoni mund të rikthejë sanksionet ndaj Moskës.

Ndërkohë, zyrtarë rusë kanë rritur tonet kritike ndaj politikës amerikane. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se administrata amerikane aktuale nuk po luan më rolin e një ndërmjetësi të paanshëm, por po ndjek një qasje të bazuar në “presion dhe sanksione”.

Pavarësisht kësaj, Kremlini këmbëngul se kanalet e komunikimit me Uashingtonin mbeten të hapura dhe se dialogu mund të rifillojë sapo kushtet ndërkombëtare ta lejojnë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x