1.5 C
Tirana
15 / 12 / 2025

Protestë madhështore në Shkup: Drejtësi për Çlirimtarët

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur dje një protestë në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Tubimi, i cili nisi në orën 13:00, mblodhi qytetarë nga Shkupi dhe trevat përreth dhe u përkrah publikisht nga përfaqësues të rëndësishëm politikë shqiptarë në rajon.

Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili u bëri thirrje qytetarëve për bashkim në kërkim të drejtësisë dhe mbrojtje të së vërtetës historike të luftës së UÇK-së. Gjatë fjalës së tij, Ahmeti shprehu mirënjohje për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Evropës dhe NATO-s, duke theksuar se ndërhyrja e tyre ishte vendimtare për ndaljen e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përkrahjen e luftës çlirimtare.

Ai përmendi figura historike shqiptare si Hasan Prishtina, Pjetër Bogdani dhe Nexhat Agolli, duke theksuar se sakrifica e tyre për liri, drejtësi dhe barazi është vazhdimësi e idealeve për të cilat u ngrit edhe UÇK-ja. Ahmeti falënderoi gjithashtu ish-zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ambasadorin Christopher Hill për kontributin e tyre në paqen dhe stabilitetin në rajon, ndërsa i bëri thirrje Evropës të qëndrojë besnike ndaj vlerave të drejtësisë.

Përkrahje publike për protestën ka shprehur edhe kryetari i Asamblese se Pergjitheshme të Shoqatës “Tirana”, Z. Shkëlqim Hajdari, i cili në një postim në rrjetin social Facebook ka publikuar fotografi nga tubimi, duke e cilësuar atë si një “protestë madhështore në Shkup”. Në mesazhin e tij, Hajdari ka theksuar se “edhe Shkupi e gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë UÇK”, duke shoqëruar reagimin me simbolet e flamurit shqiptar, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, bëri të ditur se protesta ishte zhvilluar me lejen e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, paralajmëroi për rrezikun e mundshëm të arrestimeve për ish-luftëtarët e UÇK-së, për shkak të listave të Europolit të dërguara nga Serbia.

Protesta nxiti reagime edhe në skenën politike të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Hristijan Mickoski nuk i dha mbështetje tubimit, duke e cilësuar organizimin si një “lëvizje të gabuar”, ndërsa deklaroi se kishte formuar një “shtab krize” për të garantuar që protesta të kalonte pa incidente. Këto deklarata u vlerësuan nga OVL-UÇK si përpjekje për krijimin e tensioneve të panevojshme.

Kjo protestë në Shkup është e pesta me radhë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pas tubimeve të mbajtura më herët në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, janë deklaruar të pafajshëm dhe vendimi për ta pritet të shpallet deri në mesin e korrikut te vitit qe vjen!

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x