Politikanë të majtë e të djathtë i kanë dhënë lamtumirën e fundit profesorit të socialistëve, ish-kryetarit të Kuvendit dhe themeluesit të PS-së, Servet Pëllumbi.
Që nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Arta Dade, Arben Malaj, te grupi parlamentar socialist i sotëm e deri te kundërshtarët politikë në sallën e Parlamentit, ish-Presidenti Bamir Topi, Genc Ruli, Fatmir Mediu, vendosën kurora me lule në ceremoninë e përcjelljes së një prej politikanëve më me integritet që pas viteve ’90.

Të pranishëm ishin gjithashtu Presidenti Bajram Begaj, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kryeministri Edi Rama, ndërsa nga demokratët nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj.
Servet Pëllumbi ka lindur në Korçë dhe pas viteve 90, ai ka kandiduar në këtë zonë elektorale. I ndjeri ka kryer studimet e larta në Universitetin e Petersburgut dhe është titulluar atje doktor i shkencave në Letërsi.
Nga viti 1960 – 1963, ai ka qenë pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ka ushtruar këtë profesion deri më 1977. Që nga ky vit, politikani është zgjedhur anëtar i Komitetit Drejtues së Partisë së Punës, teksa për gati tre vite ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës.

Ndryshimet demokratike në vitin 1990, e pozicionuan Servet Pëllumbin në postin e nënkryetarit të PS, post që e mbajti deri në vitin 1996.

Ai ka udhëhequr fushatën e socialistëve, për të kundërshtuar referendumin për Kushtetutën dhe më pas fushatën për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.

Njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare.

- Namik Dokle: Servet Pëllumbi, sinonim i ndershmërisë, kujtoj kur më priti në aeroport para 30 vitesh e ma dha lajmin… - 06/05/2026
- Rama në ceremoninë e lamtumirës të Pëllumbit: Do të mbetet pikë referimi në historinë e ndryshimit të epokave - 06/05/2026
- Djali i Servet Pëllumbit prek me fjalët: Na mësoi të jetojmë me dinjitet, të mos ulim kokën ndaj padrejtësive - 06/05/2026