Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e organizuar një natë më parë nga Partia Demokratike ku pati përplasje me policinë dhe disa të lënduar nga të dy krahët.
Përmes një postimi në X, Rama thekson se programi i vetëm i kësaj partie është rekrutimi i personave të maskuar që hedhin molotov dhe shkatërrojnë institucionet.
Reagimi i plotë i Ramës
Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona… Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat! Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm! Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër.
- “Trump si perandor i botës”, a po kthehen SHBA-të në një vend lufte? - 25/01/2026
- Personat e maskuar në protestën e PD, Rama: Mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve - 25/01/2026
- Juventus-Napoli dhe Roma-Milan; një e dielë që vlen një pjesë titulli dhe vendin në Champions League - 25/01/2026